Lidhje

Rregulloret e reja amerikane kufizojnë kujdesin shëndetësor në vendet në zhvillim


Organizata të sigurimeve shëndetësore thonë se në disa vende në zhvillim një pjesë e grave shtatzëna nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor, si rrjedhojë e ndryshimit të politikave nën administratën Trump. Rregulloret e reja kanë ndërprerë ndihmat për organizatat ndërkombëtare që ofrojnë ndër të tjera edhe aborte. Ndërkaq, një studim i ri akademik ka zbuluar lidhje mes ndërprerjes së këtyre ndihmave në të kaluarën dhe shtimit të aborteve në Afrikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton mbi ndikimin që po jep në shkallë globale rregullorja e re kundër abortit:

Organizata Opsione për Shëndetin Familjar në Kenia ka mbyllur klinika ose ka reduktuar shërbimet pasi në 2018 humbi 2 milionë dollarë fonde që merrte nga Shtetet e Bashkuara:

“Rregulloret kundër abortit janë aq të gjera sa që nuk lejojnë ndihma as në rastet kur organizata ofron planifikim familjar që në fakt janë shërbimet tona bazë,” thotë Amos Simpano, zyrtar i organizatës.

Në bazë të rregullores së re, bllokohen afro 8.8 milionë dollarë fonde ndihmash të Shteteve të Bashkuara për organizatat ndërkombëtare që ofrojnë aborte, konsulta për aborte ose punojnë për ligje që legalizojnë abortin.

Që nga 1994 presidentët republikanë kanë ndjekur politika të tilla kufizuese, të cilat janë anuluar nga presidentët demokratë.

Para se të humbte mbështetjen nga fondet amerikane, përllogaritet se organizata keniane ndihmonte rreth 76 mijë vetë në vit.

Në disa vende në zhvillim, këto klinika të planifikimit familjar janë të vetme objekte shëndetësore që ofrojnë gjithashtu analiza gjaku për HIV, vaksina për fëmijë dhe kontraceptivë.

Grupe amerikane kundër abortit si Komiteti Kombëtar për të Drejtën e Jetës thonë se ndikimi i rregulloreve të reja është ekzagjeruar nga kundërshtarët e këtyre politikave. Ata vërejnë se mbi 700 organizata ndërkombëtare të ndihmave vazhdojnë të marrin thuajse të gjitha fondet e parashikuara për ndihma shëndetësore.

“Vetëm një numër i vogël organizatash nuk pranon të marrë fonde, pasi për ta është më e rëndësishme të ruajnë të drejtën për të vrarë foshnje,” thotë Carol Tobias, anëtare e organizatës.

Zonja Tobias thotë se donacionet private po kompensojnë fondet e anuluara nga qeveria amerikane. Por disa organizata në Afrikë thonë se nuk kanë marrë fonde të mjaftueshme nga burime të tjera për të kompensuar humbjet.

Në mars, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e zgjeroi rregulloren duke reduktuar ndihmat për Organizatën e Shteteve Amerikane, pasi financon grupe që punojnë për legalizimin e abortit në Amerikën Latine.

Kundërshtarët e rregullores së re kundërshtojnë atë që e cilësojnë si imponim i kufizimeve partiake, politike nga administrata Trump që po ndikon tek shërbimet dhe informimi shëndetësor.

“Po u kërkohet mjekëve të zgjedhin mes një politike të hartuar në Uashington dhe vendimeve etike nisur nga shëndeti i pacientit në vendet e tyre,” thotë Chloe Cooney e Federatës Amerikane të Planifikimit Familjar.

Kritikët e politikave për kufizimin e abortit thonë se rregullorja e re më tepër bën dëm se sa ndreq. Një studim i ri i botuar në revistën shkencore Lancet Global Health arrin në përfundimin se gjatë periudhave të zbatimit të këtyre kufizimeve është vërejtur një rritje prej 40% e ritmit të aborteve në Afrikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG