Lidhje

Shkupi nuk e ekstradon ish-luftëtarin e UÇK-së në Serbi


Gjykata e Lartë e Maqedonisë së Veriut e ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Penale se nuk ekzistojnë kushte për ekstradimin në Serbi të ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina.

Avokati i tij, Naser Raufi i ka thënë shtypit se gjykata e liroi zotin Morina nga paraburgimi dhe ai u nis për në Kosovë. Gjykata penale ia ka ndalur pasaportën britanike, si masë e kujdesit dhe ia ka lënë atë të Kosovës, sipas avokatit. Ish-pjesëtari i UÇK-së kishte dy shtetësi.

Ministria e Drejtësisë, e cila duhej të thotë fjalën e fundit në lidhje me çështjen e ekstradimit, bëri të ditur për median se në rast të mendimeve identike nga të dy gjykatat, atëherë ministria nuk ka të drejtë të marrë një vendim ndryshe.

Megjithatë, vendimi i Shkupit ka nxitur një reagim të ashpër në Beograd. Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç është shprehur se vendimi i Gjykatës së lartë në Shkup dëshmon se politika qëndron mbi drejtësinë. Ajo e ka quajtur vendimin “një turp të madh për të drejtën ndërkombëtare dhe një goditje edhe më të madhe për familjet e viktimave, të cilat për dekada po presin drejtësinë lidhur me të afërmit e tyre”.

Nga ana tjetër, autoritetet qeveritare të Kosovës këmbëngulnin që Maqedonia e Veriut ta lironte sa më parë shtetasin e Kosovës, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të pësonin marrëdhëniet në mes dy vendeve.

Tomor Morina mbahej në paraburgim në Shkup që prej datës 25 korrik. Ndalimi i ish-luftëtarit ishtë bërë me urdhër të Interpolit, me kërkesë të Serbisë, e cila e akuzonte atë për krime lufte ndaj popullatës civile serbe në vitin 1999.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG