Lidhje

Pretendentë republikanë sfidojnë Pres. Trump për zgjedhjet e 2020


Joe Walsh, ish-ligjvënës republikan, ka në plan të sfidojë Presidentin Trump në zgjedhjet e 2020. Me shpalljen e kandidaturës, ai bëhet kandidati i dytë që konkurron përballë Presidentit Trump për emërimin e Partisë Republikane.

“Unë jam Joe Walsh. Kam qenë ligjvënës republikan. Jam konservator. Po konkurroj pasi Donald Trumpi nuk na përfaqëson ne. Ai përfaqëson më të keqen e Amerikës”.

Prezantuesi dhe komentatori në radio, Joe Walsh, i njohur për pikëpamje konservatore, ka qenë më parë përkrahës i presidentit, por tani thotë se do ta sfidojë presidentin për kandadaturën republikane në zgjedhjet e 2020.

“Në Shtëpinë e Bardhë kemi dikë që është krejt i papërshtatshëm për t’u bërë president. Jam i shokuar nga fakti që askush nuk ka dalë për ta sfiduar, pasi të gjithë në Partinë Republikane besojnë se ai nuk është për këtë punë”.

Zoti Walsh nuk është i pari republikan që sfidon Presidentin Trump. Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Bill Weld njoftoi në prill se po konkurronte në zgjedhjet presidenciale.

Ish-guvernatori i Karolinës së Jugut, Mark Sanford ka diskutuar mundësinë e konkurrimit për president.

Disa komentatorë politikë janë shprehur skeptikë, duke sjellë si shembull mbështetjen që ka presidenti në bazën e tij konservatore.

“Konkurrentëve u nevojitet mbështetja e Partisë Republikane. Presidenti e gëzon këtë mbështetje. Ai gëzon jo vetëm mbështetjen e votuesve, por edhe të partisë. Kjo nënkupton që e mbështesin kryetarët e degëve të partisë në shtete individuale, si dhe anëtarësia e partisë në shtete. Zgjedhjet presidenciale zhvillohen në bazë shtetesh. Kur krerët e degëve të partisë e mbështesin presidentin 100%, dikush si Joe Walsh nuk ka si të ketë sukses,” thotë opinionistja Alice Stewart.

Zoti Walsh, i cili u zgjodh për një mandat në Kongres, ka qenë kritik i fortë i ish-Presidentit Barak Obama, por të dielën shprehu pendesë për disa nga deklaratat që ka bërë në të kaluarën:

“Unë kam ndihmuar për të krijuar presidencën Trump. Nuk ka diskutim që ky element i politikës së shëmtuar ndikoi. Për këtë ndjej pendesë”.

Në anën demokrate, votuesit po përpiqen të zgjedhin të preferuarin nga një mori kandidatësh.

“Për mua ka rëndësi të marr pjesë në aktivitete fushate, sidomos në shtetin Ajova, pasi në këtë shtet bëhen zgjedhjet e para partiake. Këto aktivitete më ndihmojnë të vendos për kë do të votoj,” thotë aktivistja Emily Harris.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG