Lidhje

LDK dhe Vetëvendosje me oferta të ndryshme për koalicion parazgjedhor


Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, po vazhdojnë edhe të premten përpjekjet për një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit, pak para skadimit të afatit për të regjistruar koalicionet parazgjedhore që kalon në mesnatë.

LDK dhe VV në përpjekje për koalicion parazgjedhor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Ndonëse në shumë raste u duk se ky koalicion ishte afër realizimit, kandidatura për postin e kryeministrit që e synojnë të dyja palët, po e pengon atë.

Derisa, Lidhja Demokratike ngul këmbë që të mbështetet kandidatja e saj, Vjosa Osmani, lëvizja Vetëvendosje po bën thirrje që kjo çështje të zgjidhet pas zgjedhjeve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha gjatë ditës se partia e tij ka përafruar shumë gjëra me lëvizjen Vetëvendosje dhe se mundësia për koalicion ende ekziston, por nguli këmbë për kandidatin për kryeministër.

“Nuk kemi ndonjë çështje tjetër me të cilën ne nuk jemi pajtuar apo që kemi dallime të mëdha, posti i kryeministrit mund të themi është ai që po e zhagit apo e prolongon këtë proces dhe ndoshta e pamundëson marrëveshjen. Nuk është fjala këtu për atë që ne po tentojmë tani të kemi pushtet ose për ne ose mos të flas për Vetëvendosjen por është çështja për atë se ne duhet ta kemi timonierin e një programi qeverisës që ne besojmë se mund ta implementojmë”,tha zoti Mustafa.

Zoti Mustafa tha se Lidhja Demokratike është e interesuar që koalicion të bëj vetëm me lëvizjen Vetëvendosje dhe se sipas tij nëse kjo nuk arrihet tani, mund të arrihet pas votimeve të 6 tetorit.

“Çdo zgjidhje tjetër na çon atje që të konkurrojmë veç e veç edhe ne edhe Vetëvendosja, të mbajmë relacionet që i kemi bërë këto dy vite dhe pasi që të përfundon procesi zgjedhor, pas datës 6 tetor të ulemi prapë dhe të merremi vesh që qeverinë ta drejtoj ai që ka shumicën e deputetëve”,tha zoti Mustafa.

Në orët e pas ditës, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i dërgoi një letër zotit Mustafa, me propozim për kompromis.

Në letër thuhet se lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’u nënshtrohet vendimeve të këshillit të një partie tjetër dhe nuk do të pranojë kushtëzime për kandidatin për kryeministër.

Në letër thuhet se “sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin”, lëvizja propozon një alternativë të re për koalicionin. Të garohet me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të parathënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota”, thuhet në letrën e zotit Kurti.

Ai thekson se lëvizja është e gatshme të bëj një lëshim të madh duke pranuar që listës zgjedhore t’i prijë kandidatja e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani si bartëse e listës ndërsa Vetëvendosje të mbajë pozicionin e përfaqësuesit të koalicionit.

Në letrën e tij zoti Kurti kërkon që “sot të bëhet marrëveshja politike parimore e të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa në ditët në vijim të hartohet lisat e plotë të kandidatëve dhe platforma qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar secila të marrë përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm”, thuhet në propozimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Por, një ofertë të tillë e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sipas kryetarit të saj, Isa Mustafa, do të shpinte drejt një gare ndërmjet dy partive dhe do të dëmtonte interesin e përbashkët.

Zoti Mustafa i drejtoi një letër zotit Kurti në të cilën thuhet se “LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë”,shkroi ai duke nënvizuar se partia e tij shprehë gatishmërinë për bashkëpunim me lëvizjen Vetëvendosje tash dhe pas zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje ishin dy partitë më të mëdha politike në parlamentin që u shpërnda më 22 korrik. Të dyja kishin rritur bashkëpunimin në opozitë dhe shihej si një mundësi për një koalicion të ardhshëm qeverisës.

Deri më tash janë krijuar dy koalicione parazgjedhore: koalicioni i Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re dhe ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

Tash për tash, Partia Demokratike nuk ka hapur negociata me ndonjërën prej partive tjera.

Kosova do të votojë më gjashtë tetor në zgjedhjet e parakohshme që pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG