Lidhje

Gara me varka prej kartoni


Një garë e pazakontë në Virxhinian veriore mblodhi mijëra vetë në qytezën Reston. Spektatorët ishin mbledhur për të ndjekur një garë me varka prej kartoni. Mbi 150 pjesëmarrës shpalosën talent e imagjinatë duke krijuar varka të ndryshme me karton e letër ngjitëse me shpresën se krijimet e tyre do të lundronin sa më gjatë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov ishte në Reston për të ndjekur garën:

Ishte një atmosferë e tensionuar në përgatitje për fillimin e garës mes 150 ndërtuesve amatorë të varkave me karton. Gara synon të zgjedhë ndërtuesin e varkës që reziston më gjatë dhe lundron më larg në Liqenin Anne të qytezës Reston në Virxhinia.

Por nuk është arritje e vogël sikur varka thjesht të pluskojë mbi ujë.Gara u organizua nga Muzeu dhe Shoqata Historike e Restonit.

“Kjo quhet Gara e Varkave prej Kartoni në Liqenin Anne. Njerëzit ndërtojnë varka të mëdha me karton e letër ngjitëse dhe i vënë në garë me njëra-tjetrën. E filluam këtë projekt dy vjet më parë me qëllim që të krijonim një traditë të komunitetit ku të përfshiheshin familjet, bizneset, shoqatat. Pra që të gjithë të kënaqeshim së bashku,” thotë organizatori, Kurt Rose.

Këtu angazhohen mësues, priftërinj, policë, artistë, të rinj e pleq. Vetëm 55 nga 73 varkat e paraqitura përmbushën kriteret për të hyrë në garë. Materialet e ndërtimit janë karton, letra ngjitëse, zam dhe bojë rezistente ndaj ujit.

Mbi 200 njerëz kishin ardhur për të ndjekur garën.

“Na pëlqen të bëjmë gjëra të pazakonta e argëtuese. Mësuam se po bëhej një garë me varka prej kartoni. Vendosëm të marrim pjesë. Për dy vjet rresht përdorëm të njëjtën varkë. Këtë radhë vendosëm të ndërtojmë një të re, donim ta përmirësonim dhe ta pajisnim me pedale për lëvizje,”thotë Sam, pjesëmarrës në garë.

“Në radhë të parë, kemi ardhur për të fituar. Është një aktivitet shumë zbavitës. Mjafton të shikosh çfarë bëhet. E kupton përse vijnë njerëzit këtu,” thotë Michael, pjesëmarrës në garë.

Kristine dhe Cole përfaqësojnë në garë një nga kishat e komunitetit.

“Bëjmë pjesë në një kishë këtu në Reston. E kemi ndërtuar varkën me idenë e Arkës së Nojes. E ndërtuam vetë me ndihmën e disa miqve. Me karton, me letër ngjitëse e bojë, bëmë edhe disa kafshë prej letre”.

Dragonj, krijesa mitologjike, personazhe nga filmat për fëmijë, apo aktorë të njohur… çdo varkë ka karakter të veçantë.

“Disa janë vërtetë të mrekullueshme. Njëra ka të pikturuar në secilën anë Bitëllsat. Kur të fillojë gara, do të luajmë këngën e Bitëllsave ‘Yellow Submarine’,” thotë organizatori i garës, Kurt Rose.

Të drejtosh një anije prej kartoni nuk është dhe aq e thjeshtë:

Në përfundim kurorëzohen fituesit në një numër kategorish. Për shembull njëra nga varkat që u fundos në mënyrë spektakolare u nderua me Çmimin Titaniku.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG