Lidhje

Fermerët amerikanë dhe marrëveshja tregtare SHBA-Kanada-Meksikë


Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje me Meksikën dhe Kanadanë - dy nga partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë - për të zëvendësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të vitit 1994, ose NAFTA siç njihet ndryshe. Marrëveshja e re e Tregtisë (USMCA) është vlerësuar si "më e ekuilibruar dhe më reciproke", por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, Kongresi amerikan ende nuk ka votuar për ta ratifikuar marrëveshjen dhe ky është bërë një burim zhgënjimi për fermerët.

Panairi i Fermerëve në Dikejtër të Illinoit - një nga panairet më të mëdhej bujqësorë në botë - ofroi një mundësi për të parë prirjet më të fundit dhe më të mëdha në industri.

Por këtë vit, panairi ishte gjithashtu vendi ku fermerët amerikanë mundën të ngrinin zërin në debatin mbi tregtinë ndërkombëtare.

"Është e rëndësishme që fermerët në Illinoi të kuptojnë rëndësinë që kanë tregjet e eksportit për ta. Ne eksportojmë më shumë misër nga ky shtet sesa çdo shtet tjetër".

Shoqata e Kultivuesve të Misrit në Illinoi ku bën pjesë Tricia Braid e transformoi tendën e tyre të informacionit në panairin e këtij viti në një ekspozitë mbi rëndësinë e Marrëveshjes Tregtare mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë ose USMCA siç njihet ndryshe.

"Në dekadën që kam punuar me kultivuesit e misrit, është hera e parë që në Panair u përqëndruam tek tregëtia", thotë Tricia Braid.

Pjesë e këtij aksioni është regjistrimi i fermerëve në një rrjet që do t'i lejojë ata të transmetojnë shqetësimet që kanë drejtpërdrejt tek ligjvënësit e tyre.

"Kemi bërë thirrje për fushatë veprimi, duke përdorur një sistem të bazuar tek telefoni. Kur fermerët regjistrohen atëherë, do të jenë në gjendje të kontaktojnë direkt me anëtarët e Kongresit dhe senatorët e tyre për t'u kërkuar atyre që të ratifikojnë marrëveshjen USMCA sapo të kthehen nga pushimet e gushtit ", thotë Tricia Braid.

Për fermerin e Illinoit të jugut Jim Raben, qasja e garantuar në tregjet e Kanadasë dhe Meksikës dhe ndikimi në çmimet që USMCA mund të sigurojë është edhe më i rëndësishëm këtë vit, pasi moti i lagësht gjatë sezonit të mbjelljes rrezikon prodhimin.

"Për zonën tonë dhe ndoshta për fermën tonë, ndoshta 20, 25 përqind nuk u mboll për shkak të përmbytjeve. Më pas kishte edhe 10 përqind hektarë të tjerë që nuk u mbollën pasi ishin nën ujë", thotë Jim Raben.

Ashtu si shumica e fermerëve, Raben është i irrituar nga pasiguria e krijuar nga politika aktuale amerikane, dhe thotë se blerës të tjerë si Kina po e shikojnë marrëveshjen USMCA si një shembull të besueshmërisë së tregtisë amerikane.

"Për mua, s’ka diskutim që duhet të ishte ratifikuar. Nëse nuk do të ishte politika në mes, ajo do të ishte miratuar", thotë Jim Raben.

"Besoj se po të ishte hedhur sot në voteë në të dyja dhomat e kongresit, shumica e ligjvënësve do ta kishin miratuar. Është një marrëveshje e mirë dhe shumë e nevojshme për Shtetet e Bashkuara”.

Sekretari amerikan i Bujqësisë, Sonny Perdue u tha fermerëve me të cilët u takua në panair se i kupton shqetësimet e tyre dhe dëshiron që marrëveshja tregtare USMCA të ratifikohet shpejt. Sidoqoftë, duke folur me gazetarët krahas anëtarëve të delegacionit të Kongresit të Illinoit, ai tha se fati i marrëveshjes është jashtë duarve të administratës Trump.

"Kongresi duhet ta ratifikojë atë. Këta njerëz që qëndrojnë pas meje e dinë këtë. Por është kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve ajo që duhet ta paraqesë atë për votim", tha sekretari Perdue.

Edhe nëse marrëveshja paraqitet për votim në shtator, kur Kongresi të rikthehet në punë, fermerët vazhdojnë të përballen me pasiguri në këtë sezon për të cilin shumë analistë thonë se edhe kështu është i mbushur me shqetësime të shumta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG