Lidhje

Uragani Dorian vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara


Uragani Dorian ka të ngjarë të mos e godasë drejtpërdrejt Floridën, por kjo nuk do të thotë se banorët në këtë shtet apo kudo tjetër përgjatë bregdetit juglindor të Shteteve të Bashkuara, nuk duhet të shqetësohen.

Parashikuesit e motit thonë se uragani Dorian po intensifikohet dhe do të lëvizë "në mënyrë të rrezikshme" pranë Floridës dhe Xhorxhias gjatë ditës së mërkurë, dhe më pas do të kërcënojë Karolinën e Veriut dhe të Jugut me reshje të mëdha shiu dhe erëra të fuqishme.

"Uragani do të jetë pranë brigjeve të Floridës për një ditë, një ditë e gjysmë. Ndërsa mendojmë se kjo është një trajektore shumë më e mirë nga ajo që parashikuam 72 orë më parë, u kërkojmë njerëzve të mbeten vigjilentë. Do të ketë disa efekte në shtetin e Floridës. Do të ketë stuhisë dhe disa përmbytje. Mund të shohim dëmet e erës në varësi të asaj se sa i afrohet shtetit të Floridës uragani. Por siguria është më e rëndësishmja", tha guvernatori i Floridës Ron DeSantis.

Edhe nëse qendra e uraganit nuk prek tokën në dy Karolinat, ai ende do të sjellë rreshje të mëdha shiu, erëra të forta që shtrihen shumë larg qendrës, dhe dallgë të larta në bregdet. Parashikimet e reshjeve të shiut variojnë nga shtatë deri në 25 centimetra në ditët në vijim.

Dorian më në fund u largua nga ishujt e Bahamës të martën, duke lënë pas shkatërrimin e përshkruar si "apokaliptik" dhe që dukej sikur e kishte shkaktuar një bombë.

Kryeministri Hubert Minnis tha se kishte shtatë vdekje të konfirmuara nga stuhia, por se numri pritet të rritet.

Kryeministri, Hubert Minnis u zotua se do të përdoren të gjitha mjetet në përpjekjet për rimëkëmbjen e vendit.

"Ne tani duhet të tregojmë dashurinë dhe bamirësinë tonë në akte bujarie gjatë shumë muajve në vazhdim. Do të na duhet të gjithëve ne si një bashkësi të kujdesemi - qeveria, kishat, bizneset dhe individët për të ndihmuar në rimëkëmbjen e jetës së njerëzve tanë".

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se ujërat e përmbytjes në ishujt Grand Bahama dhe Abaco duhet të fillojnë të sprapsen ngadalë.

Përpjekjet e ndihmës janë penguar nga kohëzgjatja e stuhisë, ndërsa ajo u ul mbi ishujt dhe e pllakosi zonën me erëra të fortë dhe shira, duke lënë pistën e aeroportit Grand Bahama nën ujë.

Kryqi i Kuq tha se Dorian dëmtoi rëndë ose shkatërroi gati gjysmën e shtëpive në ishujt Grand Bahama dhe Abaco dhe se 62,000 njerëz kanë nevojë për ujë të pastër. Kombet e Bashkuara thanë se pas stuhisë rreth 60,000 njerëz kanë nevojë për ushqim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG