Lidhje

Ngadalësimi ekonomik, bankat qendrore pa arsenalin e duhur për ta shmangur


Bota përjetoi një rritje të sinkronizuar në vitin 2011, por tashmë duket se po shkon drejt fillimit të rënies. Në të kaluarën, qeveritë mbështeteshin tek bankat qendrore për të zbutur rënien dhe për të minimizuar dëmin nëpërmjet stimulimit të rritjes. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se këtë radhë, bankat qendrore nuk do të munden të bëjnë sa ç’duhet.

Ekonomistët nuk shpresojnë se mund të bëhet mjaftueshëm përmes politikave monetare për të shmangur rënien. Ndërkohë që normat e interesit janë tashmë në nivele të ulëta, bankat qendrore nuk kanë fuqinë që dispononin dikur për të rikthyer në brazdë ekonominë. Ndërsa shtohen sfidat ekonomike, që nga lufta tregtare SHBA – Kinë dhe deri tek saga pafund e Brexit-it, besimi tek biznesi dhe investimet është duke rënë.

Konsumatorët janë tashmë nxitësit kryesorë të rritjes globale, sipas bankës amerikane JPMorgan Chase, e cila thotë se volumi i shitjeve globale me pakicë u rrit me 4.8% gjatë tremujorit të fundit. Kjo rritje në shpenzimet e konsumit është ndoshta falë tregjeve kompakte të punës. Por, prodhuesit ka gjasa të ulin sërish ritmin e punësimeve, duke ulur kështu rrjedhimisht edhe shpenzimet e njësive familjare.

Ekonomitë që udhëhiqen nga eksportet po e ndjejnë shtrëngimin. Franca, e cila eksporton më pak se Gjermania, duket ende në formë të mirë, ndërsa po rritet aktiviteti i prodhimit. Por, punësimi po bie tashmë në Gjermani, fuqinë më të madhe ekonomike të Evropës, ndërsa aktiviteti prodhues në Bashkimin Evropian në tërësi vazhdoi të tkurret për të shtatin muaj rrjesht.

Në Britaninë e bllokuar nga Brexit-i, prodhimi ra muajin e kaluar me ritmin më të shpejtë të shtatë viteve të fundit. Në Shtetet e Bashkuara, indeksi për prodhimin i Institutit për Menaxhimin e Prurjeve sugjeron se prodhuesit po fillojnë të shkurtojnë vendet e punës, për t’i paraprirë ngadalësimit ekonomik. “Nuk ka gjasa për një rimëkëmbje domethënëse, për shkak të vështirësive që po përjeton prodhimi global”, thotë Andrew Wishart, ekonomist tek “Capital Economics”.

Shenjat e recensionit janë gjithandej. Në Shtetet e Bashkuara, niveli i interesave të bonove është “përmbysur” – bonot afatshkurtra po mbajnë nivele më të larta interesi se ato afatgjata. Në Evropë, ekonomia gjermane po zvogëlohet dhe në po këto rrethana gjendet edhe Italia e zhytur thellë në borxhe të rënda. Ekonomia britanike u zvogëlua tremujorin e fundit me 0.2%, ndërsa mbizotëron frika e mënyrës së ndarjes nga Bashkimi Evropian, që është partneri kryesor tregtar.

Edhe në Amerikën Latine, ekonomitë e mëdha, si Meksika, Brazili dhe Argjentina, vazhdojnë të përballen me vështirësi.

Nuk është vetëm Presidenti amerikan Donald Trump që shpreson se banka qendrore mund të ndërmarrë ndonjë veprim parandalues. Presidenti Trump ka shkruar mbi 30 mesazhe në Twitter gjatë javëve të fundit, duke kërkuar që Rezerva Federale të bëjë shkurtime domethënëse të nivelit të fondeve efektive – kjo përcakton nivelin e interesave që bankat i paguajnë njëra-tjetrës për të marrë hua. Pritshmëritë po rriten se edhe Banka Qendrore Evropiane do të lehtësojë së shpejti politikat monetare.

Zyrtarët e Rezervës Federale amerikane do të takohen më 18 shtator për të vendosur se si duhet të veprojnë për normat e interesit. Presidenti i Rezervës Federale të Bostonit, Eric Rosengren, ka deklaruar tashmë se ulja e interesave tani, do të ishte një gabim, megjithëse ka shenja se do të ulet niveli fillestar i huadhënies.

Zoti Rosenberg i tha gazetës “The Washington Post” se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është ende “relativisht e fortë” dhe se favorizohet nga papunësia e ulët, rritja e pagave dhe rritja e nxitur nga konsumatorët. Ai dëshiron të shtyhet ulja e normave të interesit, derisa të ketë shenja më të qarta të tensionimit ekonomik. Zoti Rosenberg i frikësohet ndërhyrjes së parakohshme të Rezervës Federale që do të dobësonte efektin e shkurtimeve në të ardhmen, kur të shfaqet recensioni.

Nuk ka nevojë të qetësosh gjërat në një moment kur nuk të duhet, pjesërisht pasi nuk do ta kesh më kur të duhet dhe pjesërisht pasi ka efekte dytësore ulja shumë poshtë e normave të interesit. I inkurajon njerëzit t’u hyjnë projekteve me më shumë rrezikshmëri”, i tha gazetës zoti Rosengren.

Por, disa ekonomistë dhe drejtues të bankave qendrore kanë shqetësimin se instrumentet e politikës monetare nuk do të mjaftojnë këtë radhë, pasi u përdor pjesa më e madhe e potencialit të tyre për të shpëtuar botën nga kolapsi financiar i vitit 2018.

Duke folur muajin e kaluar në simpoziumin vjetor të Rezervës Federale, guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se lehtësimi i politikës monetare dhe ulja e normave të interesit ndoshta nuk do të mjaftojnë për të shmangur rënien.

Në Evropë dhe Japoni, normat e interesit janë tashmë praktikisht negative. Me normat e bankave qendrore shumë të ulëta gjithkund tjetër, frika është se nuk mund të pritet shumë nga ulja e tyre e mëtejshme. A do të shtrëngohen më tej qeveritë duke ulur taksat për të stimuluar kërkesën dhe duke nxitur huamarrjen për të shpenzuar për infrastrukturën dhe për të investuar?

Ka edhe shqetësime në këtë drejtim. Shumë vende janë të zhytura në borxhe publike historikisht të larta dhe kanë shpenzuar tashmë miliarda në bono, si pjesë e përpjekjeve për të nxitur rritjen. Huamarrja e mëtejshme është e rrezikshme, nëse prodhimi i përgjithshëm bruto nuk rritet. Monedhat do të fillojnë të zhvlerësohen. Huadhënësit do të fillojnë të kërkojnë norma më të larta interesi. Do të arrihet në pikën kulmore kur të ardhurat do të bien.

Më herët këtë vit, Mohamed El-Erian, këshilltari kryesor ekonomik në kompaninë “Allianz”, tha: “Imagjinoni një makinë që udhëton në një rrugë me gropa dhe pa gomë rezervë. Nuk është absolutisht e dëshirueshme t’ju çpohet ndonjë gomë tjetër”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG