Lidhje

Pasojat e një Brexiti pa marrëveshje 


Eksport-importet Britani-BE
Eksport-importet Britani-BE

Qeveria britanike njoftoi se do të shpenzojë 2.4 miliardë dollarë shtesë për të planifikuar Brexitin, duke e çuar shumën totale të shpenzuar deri tani për shkëputjen e Britanisë nga BE-ja në mbi 10 miliardë dollarë. Një raport i ri paralajmëron se shkëputja e Britanisë nga BE-ja pa një marrëveshje paraprake do të kishte pasoja ekonomike e politike për vite me radhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell njofton nga Londra se shumë përkrahës të Brexitit e shohin tani daljen pa marrëveshje si rezultatin e vetëm të pranueshëm, ndërkohë që debati po bëhet gjithnjë e më i polarizuar.

Dhjetëra mijëra kamionë kalojnë nëpër Dover në një ditë të zakonshme. Kjo është pika kryersore lidhëse e Britanisë me kontinentin evropian. Kamionët bartin artikuj nga më të ndryshëm: pjesë makinash, ushqime të freskëta, gjedh e dhen si dhe ilaçe. Pjesa më e madhe e mallrave kalojnë pa u kontrolluar dhe pa tarifë. Por sipas një raporti të ri, shkëputja nga BE-ja pa marrëveshje do të sjellë tarifa dhe vonesa për gjysmën e eksporteve britanike.

“Një tjetër ndryshim që do të sjellë shkëputja pa marrëveshje, përveç tarifave që janë në fakt relativisht të parëndësishme, është kontrolli doganor. Kompanitë kanë tempo shumë të ngjeshur, nuk magazinojnë stoqe, nuk mund të lejojnë vonesa. Nëse fillon të ngadalësohet procesi do të vihet në pikëpyetje i gjithë modeli i tyre i biznesit,” thotë analisti Anand Menon.

Këtu përfshihen kompani si Nissan, Honda dhe Ford, apo Airbus, i cili prodhon pjesë për avionë në Britani.

Raporti paralajmëron se rënia e vlerës së paundit ka gjasa të sjellë rritje çmimesh dhe ndoshta mungesa në ushqime të freskëta.

Qeveria britanike i ka hedhur poshtë këto parashikime dhe thotë se është e gatshme për shkëputje pa marrëveshje. Dje, qeveria njoftoi 2.4 miliardë dollarë shtesë për t’u përgatitur për Brexit.

“Këto fonde do të mundësojnë shtimin e personelit doganor, zgjerimin e infrastrukturës në porte dhe mbështetje më të madhe për bizneset,” tha sekretari i thesarit Sajid Javid.

Zoti Sajid Javid thotë se Britania do të jetë në gjendje të sigurojë një pakt për tregti të lirë me Evropën, pas Brexitit pa marrëveshje. Por analisti Menon thotë se s’është e lehtë:

“Kur të realizohet shkëputja pa marrëveshje palët do të fillojnë të shkëmbejnë akuza nga të dyja anët e Kanalit të Lamanshit sepse të dyja palët do të ndjejnë pasoja ekonomike. Në një klimë të tillë politike do të jetë shumë e vështirë që të ulen në tryezë me dëshirë të mirë e të fillojnë negociata”.

Presidenti Donald Trump ka premtuar një marrëveshje tregtare me Britaninë pas daljes nga BE-ja, duke thënë se dy vendet mund të bëjnë 4-5 herë më shumë tregti.

“Edhe nëse heqim çdo tarifë mbi tregtinë me Shtetet e Bashkuara, do të fitonim 0.4% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Shkëputja pa marrëveshje do ta dëmtonte ekonominë për 10 vjetët e ardhshëm, më e pakta në masën 8-10% të prodhimit të përgjithshëm bruto,” thotë analisti Anand Menon.

Në Bruksel shkëputja pa marrëveshje tani shihet si skenar i mundshëm. BE-ja njoftoi të mërkurën se ka në plan të ndihmojë vendet anëtare duke lëvruar fonde të rezervuara për katastrofa natyrore.

“Në mënyrë që të jemi plotësisht të përgatitur për një Brexit pa marrëveshje, kemi bërë propozimet e duhura legjislative. Më mirë të jemi të sigurtë,” tha Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Britania dhe BE-ja thonë se duan marrëveshje. Por nuk duket se një marrëveshje e tillë mund të arrihet brenda afatit të shkëputjes më 31 tetor.

Nëse nuk kapërcehet ngërçi në parlamentin britanik, kanë mbetur vetëm pak javë para kaosit të një shkëputjeje pa marrëveshje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG