Uragani Dorian është dobësuar ndërsa vazhdon të godasë brigjet juglindore të Shteteve të Bashkuara në shtete si Karolina e Veriut, pjesën jugore të Virxhinias si dhe pjesë në verilindje të vendit. Stuhia ka sjellë shira të rrëmbyeshëm, përmbytje e erëra të forta. Ndërkohë në kryeqytetin amerikan Presidenti Donald Trump, ka krijuar një lloj stuhie ndërsa vazhdon të këmbëngulë që ai kishte të drejtë kur kishte thënë se Alabama do të prekej gjithashtu nga stuhia, pavarësisht se provat tregonin të kundërtën. Korespondetja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara sjell më shumë hollësi.
Me një fuqi të reduktuar në kategorinë e parë, Doriani po godet brigjet e Atlantikut në Shtetet e Bashkuara ndërsa zvarritet drejt veriut. Roy Copper është guvernator i Karolinës së Veriut.
“Rreziku tani është rritja e nivelit të ujit deri në dy metra dhe përmbytjet e papritura ndërsa uragani kalon”.
Por në kryeqytetin amerikan Presidenti Trump po krijon një stuhi të një lloji tjetër.
Presidenti u kritikua pasi tha se Alabama përballet me kërcënime nga uragani Dorian, pavarësisht parashikimeve nga Shërbimi Kombëtar i Motiti që pretendonin të kundërtën. Për disa ditë me radhë zoti Trump këmbënguli se ai kishte të drejtë.
“E di që Alabama ishte në parashikimet fillestare. Ata menduan se do ta godiste atë vend”
Polemika u ringjall të mërkurën kur zoti Trump u tregoi gazetarëve në Zyrën Ovale një hartë të motit për të cilën tha se mbështeste pretendimet e tij.
Në hartë dukeshin modifikimet e bëra me dorë që tregonin drejtimin e stuhisë për në shtetin Alabama. Presidenti tha më pas se nuk e dinte se kush i kishte bërë modifikimet mbi hartën zyrtare të shërbimit sinoptik.
Disa analistë thonë se ky rast është modeli i presidencës së zotit Trump, ai i mbrotjes me forcë të pretendime të rreme, si nga vetë ai dhe ndimësit e tij. Steve Billet është profesor në Universitetin George Washington.
“Modeli i presidencës së tij sillet rrotull asaj që stafi përpiqet të krijojë idenë se ai nuk bën kurrë ndonjë gabim”.
Në raste krizash, njerëzit shpesh e shohin presidentin si një forcë ngushëlluese, me një autoritet të palëkundur. Vanessa Beasley është me Universitetin Vanderbilt.
“Disa postime të tij në Twitter, në nivel gazetash lokale, pothuajse dukeshin se përforconin arsyet për t’u shqetësuar. Shembulli i deklarimit të Alabamës si një shtet në rrezik, është njëlloj sikur t’u thuash njerëzve që të frikësohen më shumë, në vend që të bësh të kundërtën. Kjo është e pazakontë”.
Mbështetësit e presidentit thonë se më e rëndësishme se fjalët e tij është ndihma federale që ai dërgon në shtetet që përballen me katastrofa. James Carafano është me Fondacionin Heritage.
“Detyra e qeverisë federale nuk është që të shkojë nëpër shtete dhe të marrë drejtimin në raste katastrofash, por të mbështesë shtetet dhe qeveritë lokale. Gjërat shkojnë mirë sepse shteti dhe qeveritë lokale kanë sisteme të mira reagimi ndaj fatkeqësive, kanë infrastrukturë të mirë, udhëheqjen e duhur dhe padyshim kjo përfshin edhe qeverinë federale”.
Media amerikane i mbuloi gjerësisht polemikat mbi hartën e ndryshuar. Presidenti nga ana tjetër u shpreh se ky ishte shembull i lajmeve të rreme. Megjithatë, fushata e tij për rizgjedhje duket se po përfiton nga polemikat e krijuara.
Facebook Forum