Lidhje

Lugina e Silikonit shndërrohet në objekt sulmi politik


Kandidatët demokratë për president po tregojnë vëmendje të madhe ndaj Silicon Valley-t, por këtë herë është ndryshe. Dikur kandidatët kërkonin të mahnisnin drejtuesit e kompanive të fuqishme si Facebook, Google etj. Tani, disa prej kandidatëve i sulmojnë kompanitë për çështje si privatësia e të dhënave, anti-monopolin dhe të drejtat e punëtorëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, njofton se si kjo stinë zgjedhore reflekton pikëpamjet në ndryshim për sektorin e teknologjisë në mbarë Shtetet e Bashkuara.

“Thonë se këto kompani të teknologjisë janë e ardhmja e punëtorisë amerikane. Mendoj se mund të kenë të drejtë. Pra, a dëshirojmë një të ardhme ku nuk do të ketë mbrojtje...”, u shpreh kandidati Pete Buttigieg, gjatë një proteste të shoferëve të kompanisë “Uber”, në San Fransisko.

Kur kandidat për president Pete Butttigieg ndaloi tek një protestë në hyrje të zyrave të qendrore të kompanisë “Uber” në San Fransisko, ai u hodh në sulm ndaj favoritëve të industrisë së teknologjisë.

Dhe ai nuk është i vetmi. Në reklamat e fushatës së kandidates Elizabeth Warren kërkohet ndarja e këtyre kompanive të mëdha dhe premtohet mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurencës.

Dikur, kandidatët politikë vinin në Silicon Valley, për të dalë në fotografi me drejtuesit kryesorë të këtyre kompanive. Por tani, kompanitë e mëdha teknologjike janë shndërruar në një thes boksi për disa kandidatë.

Elizabeth Warren thotë se është koha për të copëtuar kompanitë Google, Amazon dhe Facebook.

Bernie Sanders kritikon kompanitë e teknologjisë se asgjësuan gazetarinë dhe se kontribuojnë për praktikat e gabuara të kontrollit.

Kamala Harris, vetë nga Kalifornia, u është bashkuar të tjerëve që kërkojnë më shumë të drejta për punonjësit kontraktorë, duke kundërshtuar kështu interesat e kompanive si Uber dhe Lyft.

“Nëse je kandidat demokrat për president mund të zgjedhësh mënyra nga më të ndryshmet për të sulmuar Silicon Valley; mënyra që ishin shumë më të vështira 20 vite më parë, kur shikoheshin si djem të mirë”, thotë Donnie Fowler, i Universitetit të San Fransiskos.

Ditët e mira kanë përfunduar. Tani ka ardhur sezoni i kundër-reagimit. Presidenti Trump e filloi këtë rrugëtim, duke e sulmuar këtë industri bazuar mbi pretendimet se censuronte zërat konservatorë.

Lanhee Chen ishte drejtor për politikat në fushatën e vitit 2012 të republikanit Mitt Romney.

“Mendoj se teknologjia në këto momente është më shumë në pozita mbrojtëse se sulmuese. Mendojnë se kë të shmangin dhe jo se kë të mbështesin”, thotë Lanhee Chen, studiues në Institutin Hoover të Universitetit Stanford.

Kandidatët politikë kanë kërkuar prej kohësh fonde nga Silicon Valley, por tashmë edhe kjo është më e komplikuar.

“Kur gjendesh në një epokë politike që në thelb është populiste dhe e orientuar larg biznesit të madh, atëherë ngritja e fondeve për fushatë do të vuajë kostot”, thotë zoti Chen.

Për momentin, ekziston një ndasi mes drejtuesve të teknologjisë dhe njerëzve të zakonshëm.

Drejtuesit e kompanive teknologjike po kontribuojnë me fonde për kandidatë që nuk po krijojnë shumë problem, si p.sh. Senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker, apo kandidati kryesor, ish-Nënpresidenti Joe Biden.

Megjithatë, punonjësit e teknologjisë dhe familjet e tyre po dhurojnë për fushatën e Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.

Gjatë një takimi rishtazi të demokratëve në Silicon Valley, njerëzit u mblodhën për të diskutuar kandidatët për postet lokale. Njëri prej tyre është Max Kaehn, inxhinier programimi në Google. Ai ka dhënë fonde për fushatat Warren dhe të tjerë. Ai i mirëpret kandidatët që kritikojnë punëdhënësin e tij.

“Me fuqinë e madhe vjen edhe përgjegjësia e madhe. Kompanitë e teknologjisë kanë fuqi të madhe. Duhet t’i vendosim nën mibkqyrje”, thotë zoti Kaehn.

Kompanitë e teknologjisë do të shqyrtohen edhe më shumë në muajt në vazhdim, ndërsa kandidatët për president, si dhe Presidenti Donald Trump, vazhdojnë të sulmojnë këto kompani për çështje që prekin votuesit amerikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG