Lidhje

Kosovë, fushatë ndërgjegjësimi për ruajtjen e provave në raste përdhunimi


Kosovë, fushatë për ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e provave biologjike në rastet e përdhunimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Në Kosovë, eskpertë të mjekësisë ligjore thanë se 59 për qind e viktimave të përdhunimeve janë të moshës 11 deri 16 vjeçe, por viktima të këtij krimi ka edhe grupmosha më të vogla.

Këto pohime u bënë në hapje të fushatës ”Ma thuaj me kohë- dhuna seksuale është krim” e mbështetur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimir Evropian për sundimin e ligjit, që synon ndërgjegjēsimin për ruajtjen e provave biologjike në rastet e përdhunimeve.

Specialistja e mjekësisë ligjore, Bergita Curri, tërhoqi vëmendjen në grupmoshat që shfaqen si viktima më të shpeshta të këtij krimi.

“59 për qind e viktimave janë të moshës 11 deri 16 vjeçare e që është grupmoshë jashtëzakonisht e ndjeshme. Ka edhe prej 17 deri 20 por fatkeqësisht ne kemi edhe viktima të dhunës seksuale që janë shumë të vegjël, kemi prej moshës zero deri dhjetë do të thotë ka viktima 2 vjeç, 3 vjeç, 5 vjeç që kur i shikon statistikat e shteteve tjera shumë rrallë ndodh që këto grupmosha të jenë të prekura”, tha zonja Curri.

Zonja Curri tha se ruajtja dhe paraqitja e provave është një nga shqetësimet në procesin e përndjekjed së autorēve të krimeve.

“Prej gjithë atyre viktimave që vijnë te ne vetëm në 28 për qind të rasteve janë marr mostrat, ka qenë e mundur të merren mostrat dhe kjo është një e dhënë tjetër që na shqetëson sepse pastaj nuk habitemi aspak pse ka aktgjykime dënuese pak për rastet e dhunës seksuale. Nëse nuk ka prova biologjike, nuk ka dëshmi që e lidh direkt përmes AND-së viktimën me dhunuesin është jashtëzakonisht e vështirë të dëshmohet përfshirjen e kujtdo në një rast”, tha zonja Curri.

Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha se zbulimi i kryesve të sulmeve seksuale kërkon një bashkërendim të të gjitha institucioneve në vend.

“Sikurse në autopsi ashtu edhe në rastet e dhunës seksuale gjysma e punës apo gjysma e rastit është vendi i krimit. Po ndodhin shumë gabime për të cilat ne kemi nevojë që të jemi së bashku më shpesh dhe t’i ndërtojmë bashkërisht standardet operative, profesionale të cilat duhet të jenë protokoll i veprimit, pra thjeshtë mos të vonohemi me provat biologjike të cilat nuk lënë kohë të presim sepse ato qëndrojnë shumë shkurt në trupin e njeriut si dhe një vetëdijesim i cili vlen duke filluar nga ne institucionet e deri tek ata të cilët janë më të atakuarit”, tha zoti Gërxhaliu.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ngriti shqetësimin për mungesën e veprimeve për zbardhjen e krimit të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

“Neve po e dimë që tashmë kemi humbur shumë kohë dhe kemi humbur kohë të vlefshme. Shumë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës kanë vdekur pa mundur të tregojnë të vërtetën e tyre dhe pa i parë kryesit e këtyre krimeve makabre duke u ballafaquar me drejtësinë dhe duke i parë prapa grilave. Duhet të bëjmë të pamundurën për të krijuar rrethanat e nevojshme që më shumë të mbijetuar të ndjehen mjaftueshëm të mbështetur dhe inkurajuar për të kërkuar drejtësi mbi krimin që është bërë ndaj tyre”, tha zonja Jahjaga.

Ende nuk dihet numri i saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Thuhet se numri i tyre mund të jetë rreth 20 mijë, por numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi. Deri tash askush nuk është dënuar për këtë krim, ndonëse është i dënueshëm me ligjet vendase e ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG