Lidhje

Presidenti Trump këmbëngul se ekonomia është e fuqishme


Presidenti Donald Trump e ka lidhur rizgjedhjen e tij me forcën e ekonomisë amerikane. Mes shtimit të shqetësimeve për një ngadalësim të mundur, presidenti këmbëngul se ekonomia është e fuqishme, duke kërkuar njëkohësisht edhe rritjen e saj përmes mundësisë së një raundi tjetër shkurtimi të taksave, si dhe duke i kërkuar Rezevës Federale që të shkurtojë edhe më tej normat e interesit. Korespondetja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara sjell më shumë hollësi.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve aktualisht e shohin ekonominë si të fuqishme, ndërsa Presidenti Trump e shikon këtë si arritje të tijën.

“Ndoshta tani kemi ekonominë më të fuqishme në historinë e vendit tonë.”

Por disa analistë presin që rritja të dobësohet. G. William Hoagland është me Qendrën për Politika Dypartiake.

“Gjatë zgjedhjeve, ai gjithmonë fliste për rritje 3,4,5 përqind. Kjo nuk do të arrihet aspak. Do të befasoheshim nëse ekonomia për vitin 2020 do të tejkalonte rritjen reale prej 2 përqindësh.”

Presidenti fajëson njoftimet e medias për ngadalësimin, duke thënë se ato mund të krijojnë një profeci vetë-plotësuese.

“Media po lutet dhe po kërkon një rënie të ekonomisë.”

Sipas disa analistëve, presidenti po e lidh rizgjedhjen e tij me gjendjen e ekonomisë. Andra Gillespie është me Universitetin Emory.

“Kur ekonomia është në gjendje të keqe, njerëzit kanë tendenca të fajësojnë administratën në pushtet për këto probleme. Kjo i bën njerëzit të kërkojnë një udhëheqje tjetër, të një partie tjetër, me shpresat për ndryshime pozitive.”

Presidenti Trump i ka kërkuar Rezervës Federale që të shkurtojë në zero normën e interesit. Kjo do të mundësonte që qeveria federale të rifinanconte borxhin e saj me kosto më të ulët. Zoti Trump thotë se nuk është e drejtë që Amerika të paguajë norma më të larta interesi se vendet e tjera. Evropianët njoftuan ditë më parë një tjetër shkurtim të normave të interesit duke arritur në territor negativ. Mario Draghi është President i Bankës Qendrore Evropiane.

“Vendimi vjen si reagim ndaj inflacionit për të arritur synimet tona.”

Me norma interesi në territor negativ, bankave u duhet të paguajnë klientët në vend që të përfitojnë nga huatë. Analistët thonë se normat e ulta do të ndihmojnë qeverinë federale që të kursejë para, por çështja kryesore është niveli i huasë. G. William Hoagland është me Qendrën për Politika Dypartiake.

“Presidenti premtoi se do të eleminonte borxhin. Aktualisht, borxhi është rritur në mënyrë dramatike gjatë kësaj administrate.”

Pavarësisht se presidenti po bën thirrje për të bërë më shumë, pritet një ulje modeste e normave të interesit për të luftuar pasiguritë në rritje. Jerome Powell është Kryetar i Rezervës Federale.

“Faktorët politikë nuk luajnë ndonjë rol në proces, ndaj unë dhe kolegët e mi nuk do të tolerojmë ndonjë përpjekje për përfshirjen e tyre në debate apo vendimarrjen tonë.”

Ndërsa lufta tregtare me Kinën ndikon tek fermerët dhe manifaktura amerikane, Presidenti Trump po shqyrton një raund tjetër ulje taksash për të cilat thotë se do të jenë, shumë frymëzuese, siç u shpreh ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG