Lidhje

Trump: gati të reagojmë pas sulmeve mbi naftën saudite


Çmimet e naftës u rritën gati 20% në një moment të hënën gjatë shkëmbimeve në bursë. Nafta Brent arriti çmimin më të lartë që nga Lufta e Gjirit Persik në 1991, pasi objekte saudite të përpunimit u goditën duke përgjysmuar prodhimin e naftës saudite.

Çmimet u stabilizuan disi pasi Presidenti Trump autorizoi përdorimin e rezervave kombëtare të naftës për të stabilizuar linjat e furnizimit.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht gati të përgjigjen ndaj sulmeve kundër objekteve saudite të naftës.

“Kemi arsye të besojmë se e njohim autorin,” tha presidenti përmes një komenti të dielën në Twitter. Ai shtoi se po pret të dëgjojë konkluzionet e Arabisë Saudite për të mësuar se kë fajësojnë ata për sulmin dhe se “në çfarë termash duhet të veprohet”.

Analistët po hamendësojnë për një kundërpërgjigje të mundshme me sulme ndaj objekteve iraniane të naftës. Vëzhguesi Ali Shihabi, themelues i Fondacionit Arabik, thotë për Zërin e Amerikës se Arabia Saudite nuk mund të ndërmarrë veprime pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara, pasi çdo akt hakmarrës i Riadit do të ekspozonte ushtarët dhe interesat amerikane ndaj sulmeve iraniane, prandaj kërkohet koordinim mes Riadit dhe Uashingtonit.

Një zëdhënës ushtarak për grupet kryengritëse huti në Jemen mori përgjegjësi për sulmet dhe u betua të intensifikojë goditjet nëse sauditët vazhdojnë të sulmojnë objektivat e hutive në Jemen. Hutitë janë një grup shiit në Jemen që vazhdon të luftojë prej vitesh me forcat qeveritare.

Por të shtunën Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo fajësoi Iranin për sulmin, duke përjashtuar mundësinë që hutitë të ishin të përfshirë në këtë akt.

“Nuk ka prova që sulmet erdhën nga Jemeni,” tha ai.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të ofronte prova për deklaratat e zotit Pompeo. Irani ka hedhur poshtë akuzat se kishte lidhje me sulmin duke i cilësuar deklarata të tilla "gënjeshtra maksimale".

Të shtunën para agimit, objektet përpunuese të naftës në Abkaik të Arabisë Saudite u goditën me raketa duke shkaktuar shpërthime masive.

Video amatore tregonin flakë të fuqishme që kishin përfshirë objektin në lindje të vendit. Të shtunën pasdite qiejt mbi qytetin Abkaid ishin mbuluar nga tymi. Zyrtarët sauditë thonë se nuk ka pasur dëme në njerëz nga sulmi.

Arabia Saudite është prodhuesja më e madhe e naftës në botë. Sulmi ndaj objekteve shtetorëre të prodhimit ndërpreu një sasi prodhimi prej 5.7 milionë fuçi në ditë ose afro 6% e prodhimit total global. Kompania saudite nuk ka dhënë parashikime se kur mund të rikthehet në funksionim normal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG