Lidhje

Izrael, sondazhet flasin për rezultat të paparashikueshëm


Beteja e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për mbijetesë politike duket se do të vazhdojë me ditë e ndoshta javë pas zgjedhjeve parlamentare të së martës, ku sondazhet flasin për një rezultat të paparashikueshëm.

Sondazhet e stacioneve televizive izraelite me zgjedhës menjëherë pas votimit tregojnë se partia e djathtë Likud e Netanyahut ka marrë 31 deri në 33 vende në parlamentin me 120 vende, krahasuar me 32 deri në 34 për partinë e qendrës Blu dhe Bardhë të udhëhequr nga ish gjenerali Benny Gantz.

Sondazhet tregojnë gjithashtu se ish aleati i zotit Netanyahu, tashmë rival i tij, ish-ministri i mbrojtjes Avigdor Lieberman, mund të jetë njeriu që do të vendosë fatin e aleancave politike në parlament me mbështetjen e partisë së tij të ekstremit të djathtë Yisrael Beitenu.

IZRAELI DHE BETEJAT POLITIKE

Lieberman, mund të dyfishojë vendet e tij në parlament nga pesë në dhjetë. Slogani i fushatës së tij është "ta bëjmë Izraelin përsëri normal", që synon të luftojë atë që ai thotë se është ndikim i pajustifikueshëm i hebrenjve ultra-ortodoksë mbi jetën politike në vend.

Netanyahu ka thënë se nëse do të fitonte zgjedhjet, ai do të aneksonte të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, pavarësisht nga kundërshtitë e udhëheqësve palestinezë.

Ai i tha Radios së Ushtrisë Izraelite se, "Unë synoj t’i përfshij nën sovranitetin izraelit të gjitha vendbanimet," ndër to edhe "zonat që kanë rëndësi sigurie ose që janë të rëndësishme për trashëgiminë e Izraelit".

Zoti Netanyahu, udhëheqësi që ka qëndruar më gjatë në post në historinë e Izraelit, po përballet me betejën e tij më të ashpër politike për të fituar një mandat të pestë rekord për të qëndruar në pushtet ndërkohë që ai po ballafaqohet me akuza të mundshme për korrupsion. Izraeli po zhvillon zgjedhjet e dyta kombëtare në më pak se gjashtë muaj, pasi Netanyahu nuk ishte në gjendje të siguronte një shumicë parlamentare për të formuar një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të muajit prill.

Zoti Gantz e ka prezantuar veten si një alternativë të ndershme ndaj Netanyahut.

"Partia Blu dhe e Bardhë nën udhëheqjen time do të ndryshojnë drejtimin e Izraelit," shkron ai në një artikull-opinion në gazetën Maariv. "Nuk do të ketë më nxitje të përçarjeve në një përpjekje për të përçarë dhe sunduar, por një veprim më të shpejtë për të formuar një qeveri uniteti".

Në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet, Netanyahu është përpjekur të forcojë mbështetjen nga nacionalistët, duke marrë edhe ndihmën e mikut të tij, Presidentit amerikan Donald Trump, i cili fundjavën e kaluar propozoi mundësinë e një pakti të ndërsjelltë të mbrojtjes mes dy vendeve aleate.

Presidenti Trump tha se një traktat i tillë "do të mbështeste më tej aleancën e jashtëzakonshme midis dy vendeve tona".

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë një lidhje tjetër me zgjedhjet izraelite, njoftimin nga administrata e Presidentit Trump të planit të saj të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve që pritet të bëhet pas zgjedhjeve në Izrael. Shtetet e Bashkuara në qershor njoftuan një plan ekonomik prej 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonominë palestineze, por as palestinezët dhe as izraelitët nuk morën pjesë në prezantimin e tij në Bahrein.

Netanyahu ka bërë disa premtime në fushatën zgjedhore në një përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve nacionalistë. Ai u zotua se do të aneksonte Luginën e lumit Jordan, një zonë që palestinezët e konsiderojnë si tokën bujqësore kryesore të shtetit të tyre të ardhshëm palestinez. Në shenjë proteste, Autoriteti Palestinez mbajti të hënën një mbledhje kabineti në fshatin Fasayil që ndodhet në Luginën e Jordanit, një ditë pasi Kabineti i Izraelit u takua diku tjetër në të njëjtën luginë.

"Lugina e Jordanit është pjesë e tokave palestineze dhe krijimi i çdo vendbanimi izraelit apo aneksimi i saj është i paligjshëm", tha kryeministri palestinez Mohamed Shtayyeh në fillim të takimit. "Ne do ta padisim Izraelin në gjykatat ndërkombëtare për shfrytëzimin e tokës sonë dhe do të vazhdojmë luftën tonë kundër pushtimit në forumet ndërkombëtare".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG