Lidhje

Trump: "E ardhmja nuk u përket globalistëve por patriotëve"


Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me asnjë vend tjetër, ai nuk do të hezitojë të mbrojë interesat e Amerikës.

"Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 2.5 trilion dollarë që nga rizgjedhja ime për të rindërtuar ushtrinë tonë të madhe. Jemi gjithashtu kombi më i fuqishëm në botë," i tha ai një salle të mbushur plot me udhëheqës botërorë. "Shpresojmë që kurrë nuk do të duhet ta përdor këtë fuqi."

Presidenti Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me asnjë vend.

"Ne dëshirojmë paqe, bashkëpunim dhe përfitim të ndërsjellë me të gjithë, por unë nuk do të dështoj asnjëherë të mbroj interesat e Amerikës," i tha ai Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

U.S. President Donald Trump addresses the 74th session
U.S. President Donald Trump addresses the 74th session


Presidenti Trump e cilësoi regjimin iranian si një nga kërcënimet më të mëdha globale, duke thënë se shtyp qytetarët e tij në vend ndërsa ushqen konflikte dhe terrorizëm përtej kufijve. Ai tha se për sa kohë që kjo vazhdon, sanksionet e Shteteve të Bashkuara nuk do të hiqen, por do të forcohen.

Por presidenti amerikan la të hapur derën e diplomacisë, duke vënë në dukje se disa nga armiqtë e shkuar të Amerikës janë tani miqtë e saj më të ngushtë.

"Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë besuar në armiq të përhershëm," tha ai. "Ne duam partnerë dhe jo kundërshtarë."

Pas sulmeve të 14 shtatorit në dy rafineri nafte saudite, për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësuan Iranin, shpresat për një takim të mundshëm mes presidentëve të të dy vendeve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme u venitën. Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmet.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët iranianë kanë thënë se liderët e tyre nuk do të takohen, disa diplomatë po shpresojnë se mund të ketë një takim për të provuar të ulen tensionet.

Presidenti francez Emmanuel Macron u takua të hënën vonë me presidentin iranian dhe agjensia franceze e lajmeve njoftoi se kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillonte takime veçmas me presidentin Trump dhe presidentin iranian Hassan Rouhani të martën.

U.S. President Donald Trump talks to German Chancellor Angela Merkel at the U.N. headquarters in New York City, New York, U.S.,
U.S. President Donald Trump talks to German Chancellor Angela Merkel at the U.N. headquarters in New York City, New York, U.S.,

Lufta tregtare

Gjatë fjalimit të tij në OKB të martën, presidenti Trump përdori gjithashtu fjalë të forta për Kinën, duke thënë se Pekini nuk do të lejohej të "luante" me sistemin e tregtisë ndërkombëtare.

Rezultati i luftës tregtare mund të ndikojë në shpresat e tij për rizgjedhje në vitin 2020 dhe ai u përpoq të siguronte audiencën e tij brenda vendit.

"Populli amerikan është absolutisht i përkushtuar për të rivendosur ekuilibrin në marrëdhëniet tona me Kinën," tha ai. "Shpresojmë se mund të arrijmë në një marrëveshje që do të jetë e dobishme për të dy vendet, por siç e kam bërë shumë të qartë, nuk do të pranoj një marrëveshje të keqe për popullin amerikan."

Ai tha se Uashingtoni po vëzhgon gjithashtu veprimet e Pekinit në Hong Kong, ku protestat disa mujore pro-demokracisë janë kthyer në të dhunshme.

Paralajmërim për Imigrantët

Presidenti Trump u përqëndrua në një çështje tjetër që është e rëndësishme për bazën e tij politike - fluksin e imigrantëve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara.

"Shumë nga vendet këtu sot po përballen me sfidat e migrimit të pakontrolluar," tha presidenti Trump. "Secili prej jush ka të drejtën absolute të mbrojë kufijtë dhe natyrisht, këtë po bëjmë edhe ne."

Ai u bëri thirrje njerëzve të Amerikës Qendrore të mos kërkojnë të imigrojnë në veri.

"Kushdo që po kërkon të kalojë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme, ju lutemi dëgjoni këto fjalë: Mos i paguani kontrabandistët, mos i paguani kapot. Mos e rrezikoni veten. Mos i vini fëmijët tuaj në rrezik ", tha ai. "Sepse nëse e bëni këtë, nuk do të lejoheni në vendin tonë. Do të ktheheni menjëherë në shtëpi."


Presidenti Trump akuzoi gjithashtu aktivistë dhe organizata joqeveritare si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë saj për nxitjen e krizës së imigracionit nën maskën e drejtësisë sociale, duke thënë se ata ushqejnë kontrabandistët duke inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara.

Ai falënderoi Presidentin Andrés Manuel López Obrador të Meksikës për dërgimin e 27,000 trupave në kufirin e tij verior për të penguar imigrantët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

"Meksika po na tregon respekt të madh dhe unë i respektoj ata për këtë," tha presidenti Trump.

Presidenti gjithashtu dërgoi paralajmërime për udhëheqësit në Venezuelë, Nikaragua dhe Kubë.

"Diktatori Maduro është një kukull e Kubës, e mbrojtur nga trupërojet kubane, duke u fshehur nga njerëzit e tij," tha presidenti. "Ndërsa Kuba, plaçkit pasurinë e naftës të Venezuelës për të mbajtur në këmbë qeverisjen e saj korruptive komuniste."

Ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit venezuelas.

Presidenti Trump i preku shumë pak përpjekjet e tij diplomatike me Phenianin, duke vënë në dukje se Koreja e Veriut është një vend me potencial të pashfrytëzuar. Ai nuk tha kur mund të takohet përsëri me liderin Kim Jong Un.

Gjatë fjalimit të vitit të kaluar, presidenti Trump u bë shkak për të qeshura në sallë kur tha se administrata e tij "ka arritur më shumë se pothuajse çdo administratë në historinë e vendit tonë". Këtë vit, ai nuk tërhoqi as të qeshura dhe as duartrokitje gjatë fjalimit të tij. Pati vetëm duartrokitje shumë të shkurtra në fund.

Që prej ardhjes në detyrë në janar 2017, presidenti Trump ka tërhequr qindra miliona dollarë fonde amerikane për programet e paqeruajtjes, refugjatëve dhe shëndetit riprodhues të OKB-së. Ai gjithashtu është tërhequr nga disa marrëveshje shumëpalëshe dhe ka braktisur Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe atë për arsimin dhe shkencën. Por ai duket se po e shijon vëmendjen e udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG