Lidhje

Mbi 100 prokurorë e gjykatës do të ndjekin procesin zgjedhor në Kosovë


Mbi 100 prokurorë e gjykatës do të ndjekin procesin zgjedhor në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Mbi 100 prokurorë e gjykatës do të ndjekin procesin zgjedhor në Kosovë

Në Kosovë partitë politike janë përfshirë në fushatë të gjerë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit ndërsa autoritetet e rendit e ligjit po mobilizohen për të siguruar një proces të qetë votimesh. Mbi 100 prokurorë dhe gjykatës do të kujdestarojnë në ditën e zgjedhjeve për të shmangur shkeljet e mundshme, ndërsa policia ka përgatitur një plan të posaçëm veprimi në një projekt të përbashkët që e kanë quajtur 'mbrojtja e votës".

Njëqind prokurorë dhe 15 gjyqtarë do të jenë në gjendje pune më 6 tetor në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, në kuadër të projektit “Mbrojtja e votës” përmes të cilit autoritetet synojnë të shmangin shkeljet e mundshme gjatë votimeve.

Bashkërenduesja kombëtare e këtij projekti, prokurorja Laura Pula, u bëri thirrje të gjithë atyre që mund të hasin në shkelje ligjore në ditën e zgjedhjeve, t’i paraqesin ato në polici apo prokurori.

“Prokurori i shtetit pas pranimit të njoftimit nga policia me urgjencë dhe aty për aty vendos për ndalimin e personave me qëllim të procedimit të rasteve, duke i vlerësuar të gjitha rrethanat kërkon nga gjyqtari kujdestar respektiv të cilët do të jenë kujdestarë ditën e zgjedhjeve shqiptimin e masave për sigurimin e të pandehurit qofshin ato paraburgim apo masa tjera të parapara me ligj”, tha ajo.

Drejtori i operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, tha se policia ka plan të posaçëm për të garantuar proces të qetë zgjedhor.

“Do të caktojmë ekipe mobile të hetuesve të nivelit rajonal të cilat në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit do të veprojnë në çdo rast eventual të raportuar në të gjithë komunat e Republikës së Kosovës njësitë speciale do të jenë të shpërndara në të gjitha stacionet policore në gatishmëri të lartë për të iu përgjigjur çfarëdo situate eventuale”, tha ai.

Të mërkurën partitë politike në Kosovë hapën edhe zyrtarisht fushatën dhjetëditëshe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ndonëse fushata në terren ka filluar që para shpalljes së këtyre zgjedhjeve muajin e kaluar.

Gjithsej 25 subjekte politike nga të cilat 20 parti dhe katër koalicione do të konkurrojnë me rreth 1070 kandidatë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa janë të regjistruar mbi një milion e 900 mijë votues me të drejtë vote.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive.

Bashkimi Evropian tashmë ka filluar vendosjen e një misioni prej rreth 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa për vëzhgimin e tyre janë zotuar edhe diplomatët euro perëndimorë të akredituar në Prishtinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG