Lidhje

Forcat Demokratike Siriane kërkojnë të gjykojnë luftëtarët e ISIS-it


Shteteve të Bashkuara kanë bërë përpjekje që vendet evropiane të pranojnë kthimin e menjëhershëm të burrave dhe grave që u larguan për t’iu bashkuar grupit terrorist Shteti Islamik në Siri. Këto përpjekje po hasin në rezistencën e papritur të forcave në terren që gëzojnë mbështetjen amerikane.

Zyrtarët e krahut politik të Forcave Demokratike Siriane thonë se ata do të bien dakort për lirimin e mijëra luftëtarëve të huaj vetëm pasi ata të gjykohen për krimet e tyre në Siri.

“Duam t’i dënojmë në zonën tonë, në mënyrë që mos t’i shmangen ndëshkimit”, tha Ilham Ahmed, bashkëkryetare e Këshillit Demokratik Sirian, gjatë një takimi të mërkurën në Uashington me grup akademikësh dhe gazetarësh. “Këtu ngulim këmbë”, shtoi ajo.

Forcat Demokratike Siriane vlerësojnë se po mbajnë rreth 2200 luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik, si dhe rreth 6 mijë të tjerë përgjithësisht nga Siria.

Pjesa më e madhe e tyre mbahen në ish-godina shkollash apo burgje të tjera të improvizuara, pas rënies në muajin mars të qytetit Baghuz, bastionit të fundit të ISIS-it në Siri. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për përpjekjet e përsëritura për arratisje dhe e përshkruajnë situatën si “të paqëndrueshme”.

((https://www.voanews.com/middle-east/makeshift-prisons-islamic-state-fighters-reaching-breaking-point))

Zonja Ahmed pranoi se burgjet “nuk janë të pajisura” për të mbajtur për një kohë gjatë luftëtarët e kapur të ISIS-it. Megjithatë, ajo dhe zyrtarë të tjerë thanë se mënyra e vetme do të ishte ngritja e akuzave dhe gjykimi i këtyre luftëtarëve në gjykata ndërkombëtare të ngritura në zonat e Sirisë të kontrolluara nga forcat që gëzojnë mbështetjen amerikane dhe të koalicionit.

“Krimet u bënë në zonën tonë dhe kundër njerëzve tanë”, tha zonja Ahmed. “Nëse i gjykojmë në zonën tonë, kjo do të tregojë se po bëjmë drejtësi”.

Deri më tani, zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar kërkesa të tilla, duke këmbëngulur që vendet të pranojnë kthimin e luftëtarëve të tyre të huaj, madje edhe të grave të tyre, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes që u larguan, apo shtrënguan, për t’iu bashkuar ISIS-it.

“Riatdhesimi në vendet e origjinës, i pasuar nga një proces efikas gjyqësor, rehabilitimi dhe integrimi, janë mënyra më e mirë për t’u siguruar që këta individë të rrezikshëm të mos kenë mundësinë të rikthehen në fushën e betejës”, tha të mërkurën në Nju Jork koordinatori i Departamentit të Shtetit kundër terrorizmit, Ambasadori Nathan Sales, pas një sërë takimesh në Kombet e Bashkuara.

Krahas pothuajse 2 mijë luftëtarëve të huaj të mbajtur nga Forcat Demokratike Siriane, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se janë edhe 70 mijë bashkëshorte, fëmijë dhe familjarë të tjerë të tyre që mbahen në mbarë Sirinë verilindore në kampe të zhvendosurish, siç është kampi al-Hol.

Ambasadori Sales tha se disa vende, si Kazakistani, Maroku dhe Maqedonia e Veriut meritojnë të lavdërohen për përpjekjet e tyre për riatdhesimin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre, por paralajmëroi se shumë pak vende kanë bërë mjaftueshëm, në veçanti vendet e Evropës Perëndimore.

“Mendojmë se vendet që kanë krijuar tradita të hershme të shtetit ligjor, me buxhete të mëdha dhe me burime financiare për të trajtuar këtë problem, duhet të ishin ato që do të udhëhiqnin botën me shembullin e tyre”, tha koordinatori i Departamentit të Shtetit kundër terrorizmit. “Ekziston potenciali që të shndërrohet në një katastrofë”, shtoi ai.

Për momentin, Forcat Demokratike Siriane kanë çliruar një pjesë të tensionit duke gjykuar në vend disa raste luftëtarësh sirianë të Shtetit Islamik.

Procesi ka përfshirë “dënimin e luftëtarëve për të cilët faktohet se kanë kryer krime”, i tha Zërit të Amerikës muajin e kaluar një zëdhënës i Departamenit të Shtetit.

((https://www.voanews.com/middle-east/accused-syrian-fighters-starting-face-justice))

Disa prej familjarëve janë liruar, madje edhe nga ata që ndodheshin në kampin al-Hol.

Zonja Ahmed tha se “po i dërgojmë mbrapsht pasi marrim garanci nga kreu i fisit të asaj zone”.

Por, ajo tha se zyrtarët në Irakun fqinj ende nuk kanë filluar të përmbushin premtimin për të pranuar dhjetëra mijëra familjarë të luftëtarëve të Shtetit Islamik, si dhe refugjatë të tjerë irakianë që gjenden në zonat e kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane.

Javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump shprehu irritimin në rritje me ngurrimin e kaq shumë vendeve, në veçanti atyre evropiane, për të pranuar kthimin e luftëtarëve që iu bashkuan ISIS-it.

((https://www.voanews.com/usa/trump-renews-threat-dump-fighters-europes-border))

Duke folur nga Zyra Ovale gjatë një takimi me Kryeministrin australian, Presidenti Trump përsëriti kërcënimin e lënies së luftëtarëve të kapur të ISIS-it në dyert e Evropës.

“Dikur do më duhet t’iu them se ‘Më vjen keq, por ose do t’i merrni mbrapsht ose ne do t’i lëshojmë tek kufijtë tuaj’ “, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Megjithë këtë kërcënim, zyrtarët e Forcave Demokratike Siriane thanë se po bëhen bisedime me Shtetet e Bashkuara për lirimin, ose zhvendosjen, e luftëtarëve të Shtetit Islamik nga Evropa, jashtë kuadrit aktual të procesit të riatdhesimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG