Lidhje

Shqipëri, sekuestrohen 137 kg kokainë


Në Tiranë, Policia shqiptare dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan sot realizimin e një operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet greke dhe në koordinim me Zyrën e DEA-s amerikane në Athinë, në përfundim të të cilit janë sekuestruar 137 kilogram kokainë. Dy perosna kanë përfunduar në pranga, ndërsa një i tretë në kërkim.

Hetimet për këtë rast kanë nisur që në muajin gusht dhe siç shpjegoi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu “gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s. Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit”, i emërtuar “KUITO” kryeqytet i Ekuadorit, vend nga i cili ishte nisur kokaina e fshehur në kontenierë me banane, në një anije e cila përpara se të mbërrinte në Portin e Durrësit pati një ndalesë tranzit në Portin grek të Pireusit.

Autoritetet shqiptare organizuan “dorëzimin e kontrolluar”, një teknikë hetimi që ka si qëllim zbulimin e porositësve të drogës. Falë kësaj procedure, u zbulua një nga punonjësit e sigurisë në Portin e Durrësit Ardian Bega dhe një tjetër person Altin Mislihaka, të cilët hapën një nga kontenierët e depozituar në Durrës, duke tërhequr prej andej një sasi të ngarkesës së drogës. “Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit”.

Në kërkim është shpallur dhe një person i tretë, Gentian Malindi, pronar i një peshkarexhe dhe me precedentë të mëparshëm penal, i cili arriti të shpëtonte pasi kuptoi kurthin e ngritur nga policia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG