Lidhje

Kryeministri i Shqipërisë u bën thirrje vendeve të OKB-së të njohin Kosovën


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bëri thirrje vendeve të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Serbinë që të njohin pavarësinë e Kosovës. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zoti Rama tha se mosmarrëveshja e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të pengojë zhvillimin e gjithë rajonit.

“Ka ardhur koha që të gjitha vendet e kësaj asambleje, veçanërisht miqtë tanë serbë, të njohin Kosovën e pavarur, për t’i bërë drejtësi historisë dhe për të njohur realitetin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Kosova e pavarur është një realitet dhe nuk mund të kthehet mbrapsht dhe përparimi i saj në shtet-ndërtim nuk mund të mohohet”, tha ai.

Zoti Rama tha gjithashtu se është e rëndësishme që Kosovës t’i jepet mundësia që të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale ku ka të drejtën të hyjë çdo vend sovran dhe i pavarur.

Po ashtu zoti Rama e quajti të pajustifikueshëm faktin që Kosova është e izoluar.

“Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i mundësojë Kosovës udhëtimin pa viza, ashtu siç ka bërë për pjesën tjetër të rajonit”.

Kryeministri i Shqipërisë tha se qëndrueshmëria dhe siguria, mirëqenia dhe demokracia e rajonit mund të garantohen vetëm nga perspektiva evropiane.

“Një përgjigje pozitive ndaj ambicjeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur bisedimet e anëtarësimit (në BE), nuk do të ishte vetëm shpërblim në bazë të meritave të tyre por edhe vendimi më strategjik për t’u marrë”.

Kryeministri Rama vlerësoi reformën në drejtësi duke thënë se korrupsioni në këtë sektor ishte bërë pengesë për përparim.

“Ndërsa sistemi i ri i drejtësisë merr formë gradualisht dhe bëhet plotësisht operacional, ne shpresojmë që do t’i reduktojë seriozisht të gjitha aktet e korrupsionit dhe të abuzimit të pushtetit dhe të sigurojmë përfundimisht triumfin e drejtësisë dhe shtetit ligjor dhe të vendit në përgjithësi”.

Ai u kërkoi gjithashtu vendeve anëtare që të konsiderojnë kërkesën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare jo e përhershme e përkohëshme e Këshillit të Sigurimit në periudhën e 2022-2023.

“Prandaj u bëj thirrje të gjitha vendeve këtu sot që ta konsiderojnë pozitivisht kërkesën e Shqipërisë për një vend në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022”.

Zoti Rama vlerësoi globalizmin dhe tërhoqi vëmendjen për rrezikun e nacionalizmit:

“Nacionalizmi mund të tingëllojë si një alternativë tërheqëse herë pas here. Dhe duket veçanërisht i tillë sot. Por gama e çështjeve me të cilat përballemi të gjithë është në thelb transnacionale. Duam, s’duam e gjejmë veten në një pozicion dallimi mes interesave kombëtare dhe përparësive pothuajse i padukshëm”.

“Megjithëse mekanizmat e sigurisë janë sofistikuar dhe dhe mekanizmat e zbulimit janë përmirësuar, emigracioni i paligjshëm, radikalizmi dhe ekstremizmi, krimi i organizuar dhe trafikimi njerëzor nuk ka sfiduar vetëm ambjentin e sigurisë por edhe cilësinë e demokracisë sonë. Kjo gamë çështjesh është e qartë që kërkon mobilizimin e kapaciteteve kombëtare”, shtoi zoti Rama.

Duke marrë si shembull tërmetin e fundit në Shqipëri dhe stuhinë e shiut që pasoi, zoti Rama, foli për paparashikueshmërinë e ngjarjeve të tilla natyrore, për tha se ndryshimet e klimës janë diçka e dukshme. Ai bëri thirrje për masa më urgjente.

“Për këtë arsye, Shqipëria ka punuar me intensitet për të plotësuar objektivat e Kombeve të Bashkuara për të reduktuar çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë me 45 për qind gjatë dekadës së ardhshme dhe të ketë zero çlirim neto deri në vitin 2050 në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për Klimën”, tha ai.

Zoti Rama foli për përgjegjësinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s për Sigurinë Globale dhe tha se vendi do të vazhdojë me angazhimin e vet në këtë drejtim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG