Lidhje

SHBA, historiku i procedurave për shkarkimin e një presidenti


Presidenti Donald Trump bëri histori javën që lamë pas, por jo ashtu sikurse kishte shpresuar. Ai është tashmë presidenti i katërt amerikan që bëhet objekt i një hetimi për fillimin e procedurave të shkarkimit. Ky është një proces kushtetues me të cilin Kongresi mund të largojë presidentin nga detyra. Historia tregon se procedurat e lidhura me të, janë të komplikuara e të rrezikshme ndaj dhe rezultati përfundimtar apo pasojat shpesh janë të vështira të parashikohen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell më shumë hollësi.

Donald Trump tashmë është plotësisht i angazhuar për të shpëtuar presidencën e tij.

“Atë që demokratët po i bëjnë këtij vendi është turp dhe nuk duhet të lejohen. Duhet të ketë një mënyrë për ta ndaluar këtë. Ndoshta ligjërisht përmes gjykatave”, tha ai.

Zoti Trump i ka hedhur poshtë akuzat e demokratëve se ka abuzuar me pushtetin duke i kërkuar ndihmë Ukrainës të gjejë të dhëna dëmtuese për kundështarin e tij demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden.

Demokratët bazohen tek një ankesë e një informatori që detajon përpjekjet e zotit Trump për të marrë ndihmë nga Ukraina dhe dyshimet për përpjekje nga Shtëpia e Bardhë për ta fshehur këtë. Demokrati Adam Schiff drejton komisionin për Zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Sikurse pretendohet dhe siç nënkupton telefonata, presidenti në vend që të zbatonte me besnikëri detyrën, ai po përdorte postin për të gjetur të dhëna dëmtuese dhe që një vend tjetër të fabrikonte të pavërteta ndaj kundërshtarit të tij. Është e vështirë të imagjinohet një abuzim më të thellë me këtë detyrë”.

Pjesa më e madhe e republikanëve vazhdojnë të mbështesin presidentin, përfshi senatorin Lindsey Graham.

“Mendoj se njerëzit do ta kuptojnë këtë si tejkalim të kufirit nga ana e tyre (demokratëve). Ata do të besojnë se kjo është vetëm një hakmarrje”, tha ai.

Është shumë e vështirë të parashikohet ndikimi politik i një beteje për shkarkimin e presidentit gjatë një fushate presidenciale, kryesisht tek disa mbështetës të presidentit thotë analisti William Howell.

“A do ta mbështesin ata presidentin? Kjo është ajo që zoti Trump shpreson. Ai do të bëjë gjithçka për të siguruar atë lloj reagimi nga anëtarët e partisë së tij”, thotë William Howell, universiteti i Ilionit.

Demokratët gjithashtu duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë ndodhi me procesin e shkarkimit të Presidentit Bill Clinton në vitin 1998.

“Nuk kam patur marrëdhënie seksuale me zonjën Monica Lewinsky”.

Zoti Clinton gënjeu dhe u përpoq ta mbulonte lidhjen e tij me praktikanten Lewinsky, që çoi në nisjen e procesit të shkarkimit të tij nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Zoti Clinton mbeti në detyrë pasi u çlirua nga akuzat nga një gjykim në Senat ndërsa republikanët humbën vende në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 1998 si rezultat i reagimit të ashpër politik, thotë analisti Larry Sabato.

“Duke patur parasysh faktin që republikanët e shndëruan Bill Clintonin e dëmtuar politikisht, në pothuajse të paprekshëm për pjesën tjetër të mandatit të tij, kjo duhet të shërbejë si paralajmërim për demokratët”, thotë Larry Sabato, universiteti i Virxhinias.

Në vitin 1974, Kongresi filloi procedurat për shkarkimin e Presidentit Richard Nixon lidhur me skandalin Watergate.

“Do të jap dorëheqjen nga Presidenca nesër në mesditë”

Zoti Nixon u largua nga detyra kur u bë e qartë se nuk do t’i mbijetonte një gjykimi lidhur me procedurat për shkarkim në Senat.

Është e paqartë se çfarë do të vijë më pas për Presidentin Trump, por të dyja palët duket se po përgatiten për një betejë politike të gjatë e përçarëse me një përfundim të pasigurt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG