Lidhje

Masa për mbrojtjen e identitetit të informatorit për bisedën Trump - Zelensky


Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff
Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff

Kryetari demokrat i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve thotë se ka arritur një marrëveshje për të dëgjuar informatorin paralajmërues, ankesa e të cilit nxiti një hetim për procedurat e shkarkimit të Presidentit Donald Trump.

"Ne jemi duke marrë të gjitha masat paraprake që mundemi ... për të lejuar që dëshmia të kryet në një mënyrë që mbron identitetin e informatorit", tha Adam Schiff në emisionin “This Week’ të kanalit ABC. “Me presidentin që bën kërcënime ... mund t'i imagjinoni shqetësimet e sigurisë këtu", tha zoti Schiff.

Informatori pohon se Presidenti Trump, në një telefonatë të 25 korrikut, kërkoi ndihmë nga presidenti i ri i Ukrainës për të nxjerrë informacione inkriminuese për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter që do të dëmtonin perspektivat e zotit Biden për të fituar emërimin presidencial të partisë demokrate dhe për të sfiduar Donald Trump-in në vitin 2020.

Presidenti Donald Trump, i cili ka publikuar një transkriptim të përafërt të telefonatës, ka këmbëngulur se ai nuk bëri asgjë të keqe dhe ka vazhduar të mbrohet përmes postimeve në Twitter. Ai e quajti procesin e ndërmarrë nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve "mashtrimin më të madh në historinë e politikës amerikane". Këshilltari i tij, Stephen Miller, i tha kanalit Fox News të dielën se sjellja e informatorit ishte "si e një spiuni" dhe shtoi se vetë Presidenti Trump ishte personi që foli për korrupsionin e dyshuar nga zoti Biden dhe djali i tij.

Si nënpresident, Biden dhe drejtues të tjerë perëndimorë ushtruan presion ndaj Ukrainës për të hequr prokurorin e lartë të vendit, Viktor Shokin, sepse ai shihej si jo i ashpër sa duhet për korrupsionin.

Trump ka pohuar se Biden po kërkonte të mbronte djalin e tij, por ky pretendim është hedhur poshtë.

Ndërkohë ka vazhduar debati për fillimin e hetimeve në Kongres me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump, i cili e denoncoi procesin nëpërmjet një mesazhi videofonik në Twitter si “mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane”. Nga ana tjetër, Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, konfirmoi se hetimi do të vazhdojë pavarësisht rrezikut politik që po ndërmarrin demokratët.

“Ajo që po ndodh është mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane”, deklaroi Presidenti Trump.

Nëpërmjet një videoje në Twitter të filmuar në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump sulmoi demokratët.

“Rrezikohet si kurrë më parë vendi ynë. Është e gjitha shumë e thjeshtë. Po mundohen të më ndalin pasi unë po luftoj për ju. Nuk do ta lejoj kurrë që të ndodhë kjo gjë”, tha Presidenti Trump.

Po kështu, avokati personal i Presidentit, Rudy Giuliani, i doli në mbrojtje Presidentit Trump gjatë një interviste në kanalin Fox News, duke vënë në pikëpyetje vendimin e demokratëve për të filluar hetimet me qëllim shkarkimin e Presidentit. Zoti Giuliani tha se edhe sikur gjatë telefonatës Presidenti Trump dhe Presidenti ukrainas Zelensky t’i kishin thënë vetëm mirëmëngjesi njëri-tjetrin, sërish demokratët do të kishin thënë se aty pati një mesazh të fshehur.

Demokratët ndërkaq e paraqesin krejt ndryshe procedurën hetimore për shkarkimin e Presidentit.

“Njerëzit thonë se po ndërmarrim një rrezik politik, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Nuk mund të lejojmë që Presidenti të shkelë betimin e bërë kur mori detyrën”, tha zonja Pelosi.

Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, mbështeti gjithashtu nisjen e hetimeve.

“Donald Trump, mos ki asnjë dyshim. Nëse faktet qëndrojnë..., Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer do të qepen nga pas”, tha zoti Schumer.

Disa shpresojnë që ky proces të përmbyllet përpara zgjedhjeve paraprake të 2020-tës, duke paraqitur akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve përpara Krishtlindjes. Megjithëse Kongresi është zyrtarisht në një periudhë pushimi 2-javore, Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve do të ketë të premten një seancë dëgjimore me Inspektorin e Përgjithshëm, i cili e pati paraqitur denoncimin e informatorit si një çështje “urgjente shqetësuese”.

Megjithatë, kandidatët demokratë për President nuk duket se dëshirojnë t’i kushtojnë hetimeve shumë vëmendje.

“Kemi shumë gjëra për të folur dhe për hetimet unë jam shprehur më parë”, u tha gazetarëve Elizabeth Warren, kandidate demokrate për president.

Kandidatët mendojnë se hetimet ndaj Presidentit po lënë në hije çështjet e tjera tek cilat ata fokusohen.

“Nëse fle në motel dhe as atë nuk e përballon dot më financiarisht, a do të kishe kohë për të ndjekur skandalin e Ukrainës? Dyshoj shumë”, thotë kandidati demokrat Pete Buttigieg.

“Fokusi im sot dhe përgjithmonë do të jetë tek çështjet që i lënë njerëzit pa gjumë dhe që duan zgjidhje”, u tha gazetarëve kandidatja demokrate Kamala Harris.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG