Lidhje

Ceremoni mortore për presidentin e ndjerë Jacques Chirac


Në Paris, ish-presidentit francez Jacques Chirac iu bënë homazhe me ceremoni të plota ushtarake me pjesëmarrjen e udhëheqësve botërorë. Zoti Chirac vdiq javën e kaluar në moshën 86 vjeçare.

Me pamje solemne, Presidenti Francez Emmanuel Macron kryesoi ceremonitë gjatë paradites pranë vendvarrimit të Napoleonit në oborrin e kompleksit Les Invalides.

Një bandë ushtarake luajti himnin kombëtar, "La Marseillaise". Presidenti Macron, i cili nuk foli në ceremoni, mori pjesë më vonë në një shërbim përkujtimor në Kishën Saint-Sulpice në qendër të Parisit, bashkë me dhjetëra politikanë francezë dhe zyrtarë të huaj, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, ish presidentin amerikan Bill Klinton, ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder dhe Mbretin e Jordanisë Abdullah II.

Në shkollat dhe ndërtesat publike të të gjithë vendin u mbajt një minutë heshtje. E hëna ishte shpallur ditë zie kombëtare në Francë për ish-udhëheqësin e saj.

Jacques Chirac ka qenë një ndër shtyllat e politikës franceze gjatë katër dekadave. Ai ka shërbyer si kryebashkiak i Parisit, ligjvënës, kryeministër dhe president i Francës nga viti 1995 deri në 2007. Ai ishte kreu i fundit i shtetit francez që përfundoi dy mandate në detyrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG