Lidhje

Marrëveshja e Turqisë me forcat kurde në Siri, e paqëndrueshme


Një pjesë e konsiderueshme territori në veri të Sirisë përmban një larmi trupash nga vende të ndryshme dhe milici të lidhura me disa prej këtyre vendeve, por që shihen si armiq nga të tjerët. Në përpjekje për të mos e trazuar situatën, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje muajin e kaluar për të krijuar një "zonë të sigurt" midis Turqisë dhe zonave kurde. Por Turqia tani thotë se marrëveshja origjinale ende e lë atë në rrezik, dhe analistët paralajmërojnë se nuk ka strategji afatgjatë për bashkëjetesë paqësore. Korrespondentja Heather Murdock e Zërit të Amerikës na ka dërguar këtë material nga zonat Manbij dhe al-Bab në Siri.

Ushtarët e Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët tregojnë policinë ushtarake turke në një fshat pranë kufirit me Turqinë.

Në këtë zonë ka forca ruse, siriane, kurde dhe amerikane. Shtetet e Bashkuara janë aleate me të dy armiqtë më të betuar në zonë, Forcat Demokratike Siriane kurde dhe Turqinë. Shpesh Uashingtoni ka ndërmjetësuar marrëveshje mes dy palëve.

Qytetet pranë janë pushtuar nga forca të ndryshme që kur filloi lufta civile siriane tetë vjet më parë, dhe banorët janë të lodhur nga situata.

“Jemi të lodhur nga dhuna. Nuk duam t’ja dime nëse janë Forcat Demokratike Siriane apo një grup rebel. Nuk gjen dot njeri në Siri të mos ketë humbur dike si pasojë e luftës”, thotë Jamal Haji, banor i zonës Manbij.

Forcat turke dhe kurde kohët e fundit ranë dakord të krijojnë atë që ata e quajnë "zonë të sigurt" në anën siriane të kufirit, dhe Forcat Demokratike Siriane sprapsën trupat dhe armët disa kilometra prapa.

Por Turqia thotë se zona e sigurt duhet të jetë shumë më e madhe për t'u përgatitur për të pranuar miliona refugjatë. Forcat Demokratike Siriane thonë se marrëveshja aktuale mund të funksionojë, por nukkanë pranuar kërkesa të tjera.

"Turqia ankohet se është e kërcënuar. Kjo marrëveshje është përgjigjja për Forcat Demokratike Siriane dhe Turqinë", thotë Jamal Abu Jumaa, komandat me Këshillin Ushtarak Al-Bab.

Turqia i barazon Forcat Demokratike Siriane me PKK-në, një grup kryengritës kurd brenda Turqisë që ka nisur sulme kundër qeverisë për disa dekada.

Por Forcat Demokratike Siriane thonë se interesat e tyre janë vetëm brenda Sirisë. Megjithatë forca e saj është rritur në mënyrë të konsiderueshme që nga udhëheqja e luftës me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik në veri-lindje të Sirisë.

Udhëheqësit turq thonë se nëse nuk mund të arrijnë një marrëveshje tjetër me forcat kurde, ata janë të gatshëm të ndërmarrin një veprim të njëanshëm.

Forcat Demokratike Siriane thonë se nëse sulmohen, janë të përgatitura të luftojnë. Por tani për tani, në pjesën më të madhe, të dy palët po vazhdojnë paqen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG