Lidhje

Kina përjashton mishin e derrit nga tarifat   


Kina ka njoftuar përjashtim nga tarifat për mishin e derrit të importuar nga Shtetet e Bashkuara, duke anuluar tarifa që kishin shkuar deri në 72%. Këto tarifa ishin masat e shumta që mori Pekini ndaj produkteve amerikane në kuadër të betejës së zgjatur tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh njofton nga shteti i Ilinoit se fermerët kanë hasur vështirësi në këto kohë tarifash, megjithëse kërkesa për mishin e derrit është rritur në Kinë:

Thomas Titus bën çdo punë që nevojitet për të mbajtur në funksionim fermën e tij në Elkhart të Ilinoit. Por kohët e fundit ky përkushtim nuk i ka dhënë shumë fitime.

“Prodhojmë misër dhe sojë me kosto shumë të ulët. Rrisim derra me kosto shumë të ulët. Kur i analizon të gjitha këto e sheh se po kalojmë kohë të vështira, pasi kur vjen fundi i vitit e kemi të vështirë të mbyllim llogaritë pa humbje”.

Nuk është diçka e pazakontë që një fermer të merret me dy-tre operacione, por fermeri Thomas Titus thotë se nuk është marrë më parë me mbarështimin e derrave.

“Është diçka e rrallë kur merr parasysh përmasat e fermës sonë. Ne i mbajmë derrat që kur lindin deri kur rriten plotësisht. Kemi një operacion pak më dinamik”.

Ai tregon se mban 12 mijë derra në vit. Shumë prej tyre eksportohen jashtë vendit.

“Një ndër katër derra që mbajmë shkon për tregun ndërkombëtar. Pra jemi shumë të varur nga mbarëvajtja e negociatave tregtare”.

Një ndër blerësit e derrave amerikanë është Kina, importuesja më e madhe në botë e mishit të derrit. Kina po vuan aktualisht pasojat e një epidemie që ka dëmtuar rëndë këtë sektor duke reduktuar 20% numrin e derrave kinezë.

Në një kohë kur Kina ka nevojë më shumë se kurrë për importet e derrit, mishi i derrit nga Shtetet e Bashkuara është bërë më i shtrenjtë pasi qeveria kineze ka vendosur tarifa të rënda ndaj importeve amerikane në kuadër të luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Qeveria kineze vendosi së fundmi të përjashtojë mishin e derrit nga këto tarifa. Megjithatë lufta tregtare ka lënë deri tani gjurmë të dukshme.

“Kemi humbr shitje të mishit të derrit me vlerë prej afro një miliard dollarë. Universiteti Shtetëror i Ajovas ka nxjerrë një studim ku tregon se lufta tregtare na ka kushtuar 8 dollarë për çdo derr të tregtuar,” thotë Karl Setzer, analist i tregut të artikujve për konsum.

Analisti Setzer punon për kompaninë AgriVisor, e cila përllogarit rrezikun në tregun bujqësor.

“Kinës nuk i pëlqen të lidhet me një furnizues të vetëm, qoftë për mish derri, sojë, mish viçi, etj”.

Kur çmimi i mishit të derrit u rrit pas vënies së tarifave, Kina filloi të lidhej me furnizues të tjerë si Bashkimin Evropian, apo Brazilin.

“Vëllimi i tregtisë në Brazil është rritur 5% gjatë vitit të fundit. Kjo luftë tregtare nuk po na shërben aspak. Ne duhet të kishim një përqindje më të madhe të tregut, pasi jemi prodhues më i madh i mishit të derrit, por vendimet merren bëhet bazuar mbi çmimin me të cilin e shesim këtë mish,” thotë zoti Setzer.

Nuk dihet ende se sa do t’i shtojë Kina importet tani që janë hequr tarifat mbi mishin e derrit dhe sojën.

Gjatë kësaj lufte tregtare Thomas Titus, si shumë fermerë të tjerë ka pësuar humbje në të gjitha produktet që prodhon në fermë.

Megjithatë, ai vazhdon ta mbështesë Presidentin Trump, i cili po mban qëndrim të ashpër ndaj praktikave tregtare të Kinës. Por fermeri Titus do të donte që presidenti të rezervohej në komentet në Twitter:

“Mjaftojnë tre komente në Twitter dhe tregu tronditet rëndë”.

Prandaj ai shpreson se negociatat e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të japin rezultate domethënëse, afatgjata për të stabilizuar tregun e mallrave të konsumit si dhe për të stabilizuar fitimet e fermës së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG