Lidhje

Hetimi për shkarkim, Trump: Është një grusht shteti


TRUMP CONGRESS
TRUMP CONGRESS

Presidenti Donald Trump kritikoi hetimin për shkarkimin e tij duke e quajtur atë një "grusht shteti". Komentet e tij vijnë ndërsa krerët e disa komisioneve në Dhomën e Përfaqësuesve kanë akuzuar sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për bllokimin e përpjekjeve të tyre për të mbledhur dokumente dhe intervistuar dëshmitarët.

"Çdo ditë e më shumë po arrij në përfundimin se ajo që po ndodh nuk është një hetim për shkarkim. Ky është një grusht shteti i planifikuar për t’ia hequr fuqinë e popullit, të drejtën e tij për të votuar, lirinë e tij, amendametin e dytë të kushtetutës, fenë, ushtrinë, murin në kufi dhe të drejtat që ia ka dhënë zoti si qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", shkruante zoti Trump në një postim në Twitter.

Demokratët që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve po vazhdojnë me hetimin për të parë nëse mund të ngrejnë zyrtarisht akuza për shkarkimin e zotit Trump, bazuar në parimin kushtetues që largon zyrtarët që angazhohen në akte "tradhtie, marrje ryshfi, apo krime të tjera të mëdha, e kundërvajtje".

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit pritet të takohet të mërkurën me stafin e komisioneve të Mbikëqyrjes, Punëve të Jashtme e Zbulimit të të dyja dhomave të Kongresit për të diskutuar mbi dokumentet që ligjvënësit kanë kërkuar ndërsa hetojnë telefonatën e muajit korrik mes Presidentit Trump dhe homologut të tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Komisionet e Zbulimit, Mbikëqyrjes dhe Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar të dëgjojnë të mërkurën dëshminë e ish-ambasadores amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch, por seanca u shty për javën tjetër. Ndërkohë të enjten ish-i dërguari amerikan në Ukrainë Kurt Volker pritet të dëshmojë përpara këtyre komisioneve.

Zhvillimet vijnë pas ankesës së paraqitur nga një informator në të cilën ai shpreh shqetësimin se zoti Trump po kërkonte ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit 2020 duke i kërkuar Ukrainës të hetojë kandidatin demokrat Joe Biden. Por zoti Trump ka thënë se ai nuk ka bërë asgjë të keqe gjatë diskutimet që ka patur me zotin Zelenskiy.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG