Lidhje

Lidhjet SHBA-Arabi Saudite, një vit pas vrasjes së gazetarit Khashoggi


Lidhjet SHBA-Arabi Saudite, një vit pas vrasjes së gazetarit Khashoggi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Lidhjet SHBA-Arabi Saudite, një vit pas vrasjes së gazetarit Khashoggi

Një vit pas vrasjes së opinionistit të gazetës Washington Post që ishte banor i Shteteve të Bashkuara, Jamal Khashoggi, presidenti Donald Trump vazhdon të jetë një aleat i besueshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, duke thënë se marrëdhënia e posaçme mes dy vendeve është më e rëndësishme se çdo problem. Por shumë vetë në Kongres po kërkojnë ndryshime në politikën amerikane deri kur ata që janë përgjegjës për vrasjen të vihen para përgjegjësisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton.

Jamal Kashoggi u vra dhe trupi i tij u copëtua nga një grup saudit që dyshohet se vepronte nën urdhrat e Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll.

Një vit më pas, vrasja e tij po shënohet në gjithë botën me ceremoni solemne, një prej të cilave në Uashington, DC ku morën pjesë 11 anëtarë të Kongresit.

Që nga vdekja e tij, Kongresi amerikan është përplasur shpesh me Presidentin Donald Trump, duke votuar për kufizmin e shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite dhe për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake amerikane në luftën e udhëhequr nga sauditët në Jemen.

Kongresmeni demokrat, Jim McGovern i tha Zërit të Amerikës se presidenti refuzon ta mbajë përgjegjës bin Salmanin.

"Nuk duhet t’u shesim armë apo t’u japim ndihmë ushtarake. Kjo duhet të jetë pasoja. Dhe ka një shumicë dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat që po i dërgon presidentit ligje për të kufizuar disa shitje armësh dhe presidenti ka vendosur veton ndaj tyre..."

Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo nuk janë lëkundur në mbështetjen e tyre ndaj familjes mbretërore saudite.

Presidenti ka përmendur shqetësimet ekonomike si arsye për të mos dëmtuar lidhjet me Riadin.

"Është një ekuacion i thjeshtë për mua. Unë besoj tek ‘Ta bëjmë Amerikën Madhështore Përsëri’ dhe tek ‘Së pari Amerika’”, ka thënë ai.

"Mendoj se Sekretari Pompeo dhe Presidenti Trump i kanë bërë llogaritë e tyre përsa i takon Arabisë Saudite…Arabia Saudite është angazhuar aktivisht në një konflikt në Jemen, praktikisht me mbështetjen e një çeku të bardhë nga Shtetet e Bashkuara", thotë Kelly Magsamen, e Qendrës Amerikane për Progres.

Personalizimi nga ana e Presidentit Trump të marrëdhënieve amerikano-saudite, ka dëmtuar trajtimin e vrasjes së Khashoggi-t, i tha Zërit të Amerikës, ekspertja e e Lindjes së Mesme, Yasmine Farouk.

“Por rezultati përfundimtar është që marrëdhënia strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite sot varet më shumë nga vendimi personal i presidentit të Shteteve të Bashkuara, sesa nga vlerësimi institucional i rëndësisë së kësaj marrëdhënieje për interesat e sigurisë kombëtare amerikane dhe atyre strategjike në Lindjen e Mesme”.

Ndërsa Arabia Saudite përpiqet t’u hapë dyert turizmit dhe investimeve ndërkombëtare, zonja Farouk thorë se vrasja e Khashoggi-t do të lërë gjurmë tek mbretëria për vite me radhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG