Lidhje

Amerika dhe roli i saj në arenën globale 


Veprimet e fundit në politikën e jashtme amerikane, si tërheqja nga Traktati INF për Raketat me Rreze të Mesme, braktisja e disa parimeve të njohura në marrëdhëniet me vendet e tjera, kanë bërë që disa ekspertë të dalin me përfundimin se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga angazhimi ndërkombëtar. Megjithatë, studimet tregojnë se amerikanët po përkrahin më shumë se kurrë më parë pozicionin e vendit të tyre si udhëheqës në arenën ndërkombëtare, si dhe aleancat ndërkombëtare e dialogun e hapur. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Rice ka përgatitur materialin:

Që kur zoti Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, paqartësia në pozicionimin amerikan në zhvillime globale përtej interesave të ngushta të vendit, është bërë më e dukshme, e ngritur me të madhe në fushatën e presidentit “Amerika, e Para”. Thirrja e vazhdueshme për të ngritur një mur në kufi me Meksikën, dalja nga traktati INF me Rusinë si dhe largimi nga praktika e zgjedhjes së politikanëve të njohur për të drejtuar poste kyçe në administratë, kanë bërë që ekspertë të politikës së jashtme të shprehen se Amerika po shfaq tendenca të tërheqjes nga arena globale.

Por situata është më e ndërlikuar se kaq. Ndryshe nga ky konkluzion i parë, anketa e organizatës “Këshilli i Çikagos për Opinion Publik dhe Politikën e Jashtme”, tregon se amerikanët mbeten po aq të interesuar tek aleancat dhe angazhimi ndërkombëtar sa ç’kanë qenë më parë.

“Një shumicë e konsiderueshme e amerikanëve mbështesin idenë se tre shtyllat e politikës së jashtme amerikane: aleancat, tregtia dhe demokracia e liria, janë me rëndësi themeltare për të arritur objektivat tona dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol udhëheqës në mobilizimin e pjesës tjetër të botës që të tria këto synime të mbrohen,” thotë Ivo Daalder, me Këshillin e Çikagos për Opinion Publik dhe Politikën e Jashtme.

Mund të duket si e palogjikshme që anketa nxori këto konkluzione. Megjithatë, pavarësisht politikave proteksioniste që po tërheqin më shumë amerikanë dhe faktit që aktualisht përllogaritet se 39% e të anketuarve janë përkrahës të Presidentit Trump, gjithnjë e më shumë të anketuar shprehen pozitivisht për aleancat politike, ekonomike e tregtare dhe besojnë se ato u shërbejnë Shteteve të Bashkuara. Megjithëse nuk tërheq vëmendje, ky grupim ekziston vërtetë dhe po zgjerohet në numër.

“Pjesa më e zëshme e elitave amerikane që anojnë nga Presidenti Trump, apo aktivistët që kanë mendime të ngjashme janë më të bujshëm dhe tërheqin më shumë vëmendje nga media në debatin publik,” thotë Dina Smeltz, me Këshillin e Çikagos për Opinion Publik dhe Politikën e Jashtme.

Megjithëse mbështetja për aleancat ndërkombëtare duket se arrin të kapërcejë dallimet partiake, duke u përqafuar nga demokratë e republikanë, ka tema që vazhdojnë të përçajnë amerikanët.

“Tre pikat më të rendësishme në raport ku del në pah përçarja janë ndryshimet klimatike, imigracioni dhe Kina. Shihet se demokratët dhe republikanët janë në pozicione krejt të ndryshme lidhur me këto tema,” thotë Richard Fontaine, i Qendrës për Siguri të Re Amerikane.

Megjithatë, edhe kur bëhet fjalë për këto tema polemizuese, duhet marrë në shqyrtim edhe një faktor tjetër që do të ndikojë tek kursi i Amerikës në dekada – brezi i mijëvjeçarit.

“Mendoj se do të shohim dallime të mëdha në politikat e ndryshimeve klimatike sidomos, pra republikanët nuk do të dalin të fituar duke mos pasur një pozicionim për këtë temë, pasi brezi i mijëvjeçarit, si demokratë, ashtu edhe republikanë, e rendit çështjen e ndryshimeve klimatike në krye të shqetësimeve të tyre. Pasi ato po bëhen gradualisht një përqindje gjithnjë e më e madhe e amerikanëve që votojnë, nuk ka fort gjasa që ata të tërhiqen nga ky qëndrim,” thotë zoti Fontaine.

Ndërsa afron fundi i mandatit të parë të Presidentit Trump, duket se ka dalë në plan të parë prirja e izolacionizmit. Megjithatë, anketat tregojnë se amerikanët mbeten të bashkuar mbi tema madhore që dikur e kishin pozicionuar Amerikën në rol udhëheqës në arenën globale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG