Lidhje

Protestat në Hong Kong, nuk përjashtohet mundësia e ndihmës nga Kina


Udhëheqësja e Hong Kong-ut Carrie Lam tha të martën se nuk e përjashton mundësinë për ndihmë nga Kina për të përballuar protestat pro-demokracisë, por ajo shtoi se ndjehej e sigurt se Hong Kongu "do ta gjejë vetë zgjidhjen".

"Ky është gjithashtu pozicioni i qeverisë qendrore që Hong Kongu ta gjejë zgjidhjen e këtij problemi vetë, por nëse situata përkeqsohet, atëherë nuk përjashtohet asnjë mundësi, nëse duam që Hong Kongu të ketë të paktën një shans tjetër", tha ajo në një konferencë për shtyp.

Zonja Lam tha që ajo do të vlerësojë me kujdes mundësinë nëse do të ndërmarrë masa të reja bazuar tek një ligj emergjence i epokës koloniale, të cilin e përdori javën e kaluar për të shpallur të paligjshme përdorimin e maskave të fytyrës në Hong Kong.

Një zëdhënës i policisë tha të martën se policia kishin arrestuar 77 persona për shkelje të vendimit për mos përdorimin e maskave, por zonja Lam tha që është ende herët për të dalë në përfundimin nëse ligji ka qenë i efektshëm ose jo.

Vendimi ka nxitur një zemërim më të madh mes protestuesve. Me dhjetëra mijëra vetë zhvilluan demonstrata në kundërshtim të këtij vendimi.

Maskat e fytyrës ishin diçka e zakonshme gjatë protestave në Hong Kong, madje edhe në marshime paqësore, prej frikës së ndëshkimit nga autoritetet apo ndarjes së informacionit për identitetin e tyre me Pekinit.

Por shumë banorë të Hong Kong-ut i mbajnë maskat për t’u mbrojtur nga ndotja apo infeksionet, siç është shpërthimi i sindromës së rëndë vdekjeprurëse të frymëmarrjes (SARS) që goditi qytetin në vitin 2003.

Gjatë katër muajve të fundit, qyteti është përfshirë në trazira ndërsa aktivistët pro demokracisë janë angazhuar në taktika gjithnjë e më konfrontuese ndaj asaj që e shohin si përpjekje e Kinës për të kufizuar autonominë e Hong Kongut dhe liritë civile.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG