Lidhje

LDK, PDK dhe Nisma – kërkojnë rinumërim votash


Tri subjekte politike në Kosovë po kërkojnë rinumërimin e votave, derisa ende nuk ka përfunduar numërimi i plotë të tyre.

Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha se pretendimet e subjekteve politike janë të njëjta.

Ankesat i kanë parashtruar NISMA-AKR-PD, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Pretendimet e që të triave në këto ankesa janë të natyrës së njëjtë për faktin se theksojnë në ankesa që në formularët për përputhje të rezultateve mungon një rubrikë apo një kolonë ku do të duhej të regjistroheshin votat e subjektit politik. Për faktin që mungon, votat e tyre pretendojnë se u janë bartur subjekteve tjera politike dhe e kontestojnë rezultatin dhe për shkak të kësaj parregullsie në njëfarë mënyre ato pretendojnë se duhet të rinumërohen vendvotimet në të gjithë Kosovën”, tha zoti Desku.

Sipas tij, paneli ka afat prej 72 orësh për të marrë një vendim lidhur me këto kërkesa. Ai thotë se në përgjithësi për tërë procesin zgjedhor janë dorëzuar 355 ankesa dhe apele.

“Tri ankesa janë paraqitur për parafushatën zyrtare zgjedhore, 140 ankesa për fushatën zgjedhore, 104 ankesa për heshtjen zgjedhore dhe siç e theksova 22 ankesa për ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha ndërkaq se koalicioni i përbërë nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate e pranon rezultatin e zgjedhjeve.

’Ne nuk kërkojmë rinumërim e as përmbysje të rezultatit, pasi është e padrejtë ta dëmtojmë një ditë kaq të mirë zgjedhore. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën ta formojmë qeverinë, por ne vazhdojmë t’u mbesim besnik temave dhe nëse qeveria e ardhshme do angazhohet në këto tema, ne do t’i përkrahim”, tha zoti Haradinaj.

XS
SM
MD
LG