Lidhje

Pritjet e Shkupit rreth datës së bisedimeve me BE-në


Autoritetet qeveritare maqedonase shpresojnë se do të marrin datën për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, ndonëse Franca nuk e ka fshehur hezitimin në lidhje me dhënien e datës për dy vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në Shkup është krijuar përshtypja se Berlini po i bën trysni Parisit që të pajtohet me datën për këto dy shtete, edhe pse nga takimi i të dielës në mbrëmje midis Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit Emmanuel Macron nuk u mësua nëse ishte folur fare për këtë çështje.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u tha gazetarëve të hënën se priste që Këshilli Evropian do të marrë një vendim për dhënien e datës për vendin e tij, ndërsa u shpreh se, “Franca mund të kërkonte një metodologji të re të zgjerimit të BE-së”, ndërsa tha se zbatimi i reformave mund të bëhej në mënyrë paralele me hapjen e bisedimeve për integrim.

Sipas Kryeministrit Zaev, bëhet fjalë për një “proces reversibil“; kapitujt që janë hapur tashmë në Bruksel do të mund të rihapeshin sërish nëse vlerësohet se ka ngecje në Shkup dhe Tiranë.

Të martën fillojnë takimet e Këshllit të Ministrave të BE-së prej nga Shkupi pret qëndrime më konkrete. Kryeministri Zaev thotë se më 17 dhe 18 tetor do të merren vendime për Maqedoninë e Veriut.

“As nuk dua të mendoj se a do të marrim datën. Kemi pritur pesëmbëdhjetë vjet; kemi bërë reforma të mëdha, marrëveshjet që kemi bërë janë 100 për qind të realizuara dhe me të vërtetë jemi shembull për të gjithë rajonin”, u shpreh zoti Zaev.

Ministrja maqedonase e Drejtësisë, Renata Deskoska duke folur të hënën në Këshillin e Evropës ka theksuar shpresat se “nuk do ta humbasim shansin të marrim datën për bisedime me BE-në”. Ajo ka folur për reformat që po bën Shkupi në sistemin gjyqësor.

Edhe opozita maqedonase po ashtu pret një vendim pozitiv të BE-së për bisedimet, ndërkohë që ajo fajëson kryeministrin Zaev për zvarritjet.

Ndërkohë, katër ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, Çekisë, Polonisë, Sllovakisë dhe të Hungarisë përmres një letre i kanë kërkuar BE-së që të hapë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sipas shtypit në Shkup duke iu referuar revistës Politico.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin “vend kandidat për anëtarësim në BE” qysh në dhjetor, 2005, por problemi i emrit me Greqinë fqinje dhe mosmarrëveshjet e shpeshta politike brenda vendit kanë zvarritur procesin e integrimit të saj në BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG