Lidhje

SHBA kërkon armëpushim pas përparimit të Turqisë në Siri


Shtetet e Bashkuara thonë se po bëhen përpjekje të forta diplomatike për arritjen e një armëpushimi pas inkursionit turk në veri të Sirisë. Uashingtoni po përpiqet të marrë situatën nën kontroll, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.

"Qëllimi numër një është që nëpërmjet diplomacisë të arrijmë një armëpushim dhe ta vendosim situatën nën kontroll. Situata është tejet konfuze dhe shumë e rrezikshme për trupat tona. Po rrezikohet lufta kundër ISIS-it si dhe mbatja e sigurt në burg e rreth 10 mijë të arrestuarve", tha zyrtari amerikan.

Ai vuri në dukje se deri më tani nuk ka pasur "ndonjë përpjekje madhore të suksesshme për t’u larguar nga ana e burgosurve", duke iu referuar luftëtarëve të burgosur të ISIS-it dhe familjeve të tyre. Por zyrtarët kurdo-sirianë kanë thënë se me qindra të dyshuar të burgosur eksponentë të ISIS-it kanë arritur të largohen.

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar sanksione kundër zyrtarëve turq lidhur me operacionin ushtarak në Siri ndërsa ka në plan të nisë drejt Ankarasë një delegacion të udhëhequr nga nënpresidenti Mike Pence për bisedime për të zgjidhur situatën.

"Mund t'ju them se ai do të niset shumë shpejt", u tha të martën gazetarëve zyrtari i Departamentit të Shtetit. “Qëllimi ynë kryesor është që në thelb të zhvillojmë një bisedë të hapur me turqit", tha ai.

Presidenti Trump është përballur me kritika të ashpra pas vendimit për tërheqjen e trupave amerikane në një kohë kur Turqia po përparonte me planet e saj për të sprastruar një zonë përgjatë kufirit me Sirinë nga luftëtarët kurdë të cilët i konsideron si terroristë të lidhur me kurdët separatistë në Turqi. Ushtria amerikane ka thënë që prej kohësh se aleatët e saj kurdë kanë ndihmuar në luftën kundër ISIS-it dhe eliminimin e kalifatit të vetëshpallur të tij.

"Jemi shumë të shqetësuar mbi veprimet e Turqisë dhe kërcënimin që ato paraqesin për paqen, sigurinë, stabilitetin, integritetin territorial të Sirisë si dhe planet tona politike në përgjithësi. Jemi të shqetësuar mbi rrezikun e një katastrofe humanitare si dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, disa prej të cilave i kemi parë të kryhen jo nga trupat turke, por nga ata që ne i quajmë elementë të armatosur të opozitës siriane të mbështetur nga Turqia, të cilët janë përgjegjës për ato foto të tmerrshme që keni parë", tha zyrtari amerikan të martën.

Inkursioni i Turqisë i detyroi Forcat Demokratike Siriane, aleate të SHBA-së të arrijnë një marrëveshje me qeverinë Siriane duke rikthyer trupat siriane në pjesën verilindore të vendit për herë të parë pas shumë vitesh. Të hënën trupat mbërritën në qytetin Manbij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG