Lidhje

Apeli lë në fuqi dënimin me 10 vjet burg për Balilin


Në Shqipëri Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda konfirmoi sot dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë për Klement Balilin, një nga emrat më të përfolur për trafikun ndërkombëtar të drogës. Apeli la kështu në fuqi dënimin me 15 vjet heqje lirie, por shkak të gjykimit të shkurtuar Balili, do të vuajë vetëm 10 vite, në një burg të sigurisë së lartë.

Balili u gjet fajtor për të 4 akuzat e ngritura nga Prokuroria, “Trafikim të lëndëve narkotike, I kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “pjesmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Balili nuk mori sot pjesë në seancën ndaj tij, ndonëse ankimimi ishte bërë pikërisht nga avokati I tij mbrojtës, me pretendimin se prokuroria nuk kishte sjellë sipas tij asnjë provë që e implikon të mbrojturin prej tij në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Emri i tij, doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj të vitit 2016, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës e cila dyshohej se drejtohej nga Balili u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që ai vetë vetë mundi të shpëtojë.

Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë deri kur u vetdorëzua në Janar të këtij viti. Emri i tij, për shkak dhe të nofkës me të cilën e pagëzuan mediat greke se Eskobari i Ballkanit, shkaktoi shumë zhurmë edhe për shkak të dyshimeve se gëzonte mbështetje politike.

Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, i emëruar në 2014. Njëri nga nipat e e tij ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit.

Vëllezërit Balili kanë patur aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë të kohës

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG