Lidhje

Britania arrin marrëveshje për Brexit me BE-në


Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian arritën marrëveshje të re, në ditën e parë të një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke hapur rrugën që Britania të largohet nga familja më e madhe evropiane në fund të muajit të ardhshëm. Megjithatë, Brexit-i nuk pritet të ndodhë shpejt, pasi Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me një betejë të vështirë për të bindur anëtarët e parlamentit në Londër të miratojnë marrëveshjen.

Zakonisht negociatat në Bruksel zgjasin deri natën vonë. Prandaj, të gjithë u habitën kur panë në podium Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pasditen e së enjtes.

“Kemi arritur një marrëveshje që nënkupton se nuk ka nevojë për asnjë lloj vonese”, tha në paraqitje para gazetarëve Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Për kryeministrin britanik ky është përparim drejt Brexitit.

“Marrëveshja është e mirë, e arsyeshme dhe e drejtë si për BE-në ashtu edhe për Britaninë”, tha Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.

Megjithatë, premtimi i zotit Johnson për dalje me çdo kusht nga BE-ja më 31 tetor, mund të dështojë, pasi duhet të miratohet nga parlementi britanik dhe ai evropian. Anëtarët e parlamentit britanik kanë seancë këtë të shtunë, për herë të parë nga viti 1982.

Marrëveshja u arrit fal disa ndryshimeve në projekt-marrëveshje. Pakti i ri parasheh që Irlanda e Veriut të jetë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar por do të funksionojë me ligjet e BE-s, gjë që do të shmangte kontrollet kufitare.

Por Partia e Unionit Demokratik ka refuzuar çdo llojë marrëveshje që e trajton Irlandën e Veriut ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

“Besojmë se nuk është në interesin e Irlandës së Veriut, as në aspektin ekonomik. Si për rregullat, edhe për mallrat. Ne kemi rregulla të tjera të taksës mbi vlerën e shtuar dhe nuk kemi konsensus mbi këto rregulla”, tha udhëheqësja e partisë, Arelene Foster.

Për kryeministrin Johnson, votat e kësaj partie janë vendimtare sepse të gjitha partitë e tjera opozitare kanë deklaruar se do të votojnë kundër.

Presidenti i Komisionit Evropian, ka paralajmëruar se BE-ja nuk do të zgjasë afatin për Brexitin.

“Për aq sa ata besojnë se ka një mundësi të tretë, pra një referendum të dytë, një afat tjetër, zgjedhje të përgjithshme, marrëveshje më të mirë ose çfarëdo qoftë ajo, ata nuk duket se do të votojnë për marrëveshjen që kanë në tryezë”, thotë analistja nga Qendra për Politika Evropiane, Larissa Brunner.

Shpejtësia e arritjes së marrëveshjes në Bruksel, tregon vullnetin e BE-së që Brexit të kalojë lehtësisht.

Por zotin Johnson e presin shumë pengesa pasi të kthehet në Britani, në atë që po quhet si e Shtuna e Madhe në parlament.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG