Lidhje

Konflikti në Siri, në qendër të debateve në Uashington


Gjendja në verilindje të Sirisë vazhdon të mbizotërojë në politikën amerikane, ndërsa Uashingtoni debaton mbi politikën e jashtme të administratës së Presidentit Donald Trump. Siç njofton korrrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan administrata po mbron vendimin për tërheqjen e trupave amerikane nga ai rajon megjithë njoftimet për vazhdimin e konfliktit.

Në zona të verilindjes së Sirisë, ende nën kontrollin kurd, pati njoftime për viktima ndërsa tërhiqeshin trupat amerikane. Ndërkohë, forcat e regjimit sirian zënë pozicione në Sirinë veriore për të bllokuar trupat turke, në bazë të një marrëveshjeje mes kurdëve dhe Damaskut.

Zyrtarët kurdë paralajmërojnë për masakra të vazhdueshme nga sulmet turke, megjithë armëpushimin që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe nënpresidenti Mike Pence, ndërmjetësuan javën e kaluar me Turqinë.

“Deri tani ka funksionuar. Ka ende shumë punë për të bërë për ta zbatuar, por jemi optimistë. Sapo jam informuar nga zyrtarë të lartë, sipas së cilëve ka relativisht pak luftime, zjarr sporadik armësh të lehta, ndonjë mortajë”, tha zoti Pompeo.

Armëpushimi që është në fuqi deri të martën, u jep kohë kurdëve që të tërhiqen nga një zonë e ndërmjetme në kufirin Siri-Turqi.

Tërheqja amerikane është kritikuar nga demokratët dhe nga shumë republikanë.

“Çdo president ka shumë hapësirë për të vendosur për trupat dhe shumë nga ne kanë thënë se ky ishte gabim”, tha udhëheqësi republikan i shumicës në senat, Mitch McConnell.

Një demokrat tha të dielën se kjo lëvizje shton ndikimin e Rusisë, përmes aleates së saj, Sirisë.

“Nuk ka garanci për interesat tona dhe në fakt Rusia jo vetëm që do të ketë një ndikim të madh për të ardhmen e Sirisë, por të gjithë faktorët në rajon po rikalibrojnë qëndrimet e tyre ndaj aleancave”, tha senatori demokrat, Bob Menendez.

I paqartë është edhe fati i 10 mijë luftëtarëve të Shtetit Islamik të ndaluar nga forcat kurde.

Presidenti Trump tha të premten se të burgosurit janë të siguruuar, pavarësisht nga njoftimet për arratisje dhe lirime.

“E kemi ISIS-in plotësisht nën kontroll. Edhe Turqia po i ruan. Po vëzhgon çdo gjë”, tha ai.

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë që me një shumicë të konsiderueshme, përfshirë 129 republikanë, dënonte tërheqjen e zotit Trump nga Siria.

Është një veprim simbolik dhe republikanët deri tani e kanë bllokuar masën në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG