Lidhje

Dy ekspertë të Departarmentit të Shtetit për Ukrainën, dëshmojnë para ligjvënësve


Dy ekspertë të Departamentit të Shtetit për Ukrainën po dëshmojnë sot para anëtarëve të Kongresit, në hetimin për procesin e shkarkimit të Presidentit, një ditë pasi një oficer i ushtrisë, anëtar i personelit të Këshillit të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë tha se kishte qenë aq i shqetësuar që Presidenti Donald Trump kishte nxitur Ukrainën të hetonte kundërshtarët e tij politikë, saqë kishte njoftuar eprorët e tij. Dëshmitë e sotme vijnë një ditë para një seance në Dhomën e Përfaqësuesve, të thirrur nga kryetarja demokrate Nancy Pelosi ku do të votohet për një rezolutë që detajon rregullat e hetimit.

Zyrtarja e Departamentit të Shtetit, Catherine Croft po dëshmon në Kongres para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin. Sipas dëshmisë së përgatitur, ajo pritet të thotë se gjatë periudhës që punonte në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, se kishte marrë telefonata të shumta nga lobisti Robert Livingston, ku ai i kishte thënë se Marie Yovanovitch që ishte në atë kohë ambasadore në Ukrainë, duhej të shkarkohej.

Zyrtari tjetër, Christopher Anderson ende nuk e ka filluar dëshminë, por ai thotë në tekstin e përgatitur, se ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton i kishte tërhequr vëmendjesn se Rudy Giuliani ``ishte një zë kyç me Presidentin lidhur me Ukrainën”.

Dëshmia e tij bën të qartë se zyrtarët e administratës ishin të shqetësuar lidhur me rolin e zotit Giuliani në politikën e Ukrainës dhe nxitjen e tij për hetimin e demokratëve.

Kolonel Lejtnant, Alexander Vindman u tha dje komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve se ai ishte një nga personat që kishte dëgjuar telefonatën e 25 korrikut të Presidentit Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Më shqetësoi telefonata. Nuk e mendoja se ishte e rregullt t’i kërkosh një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan. Më shqetësonin pasojat që mund të kishte tek ndihmat amerikane për Ukrainën”, tha zoti Vindman.

Telefonata mes dy presidentëve është në qendër të përpjekjeve të demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të ndërmarrë procesin e shkarkimit të zotit Trump, pasi i kishte kërkuar Kievit të hetonte akuzat se Ukraina ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, në favor të demokratëve, si edhe korrupsionin e mundshëm të kandidatit demokrat për president Joe Biden dhe të birit të tij, Hunter, që punonte për një kompani ukrainase gazi.

Nuk kanë dalë të dhëna që të mbështesnin asnjë nga akuzat.

Demokratët duan të dinë nëse zoti Trump kishte bllokuar 400 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, me kushtin që zoti Zelenskiy të binte dakord me hetimet.

Zoti Vindman është një imigrant ukrainas-amerikan, që është plagosur nga një bombë ndërsa shërbente me ushtrinë amerikane në Irak. Zoti Trump e sulmoi atë në Twitter, duke ngjallur reagime përfshirë nga republikanët.

Zoti Trump e ka quajtur hetimin për procesin e shkarkimit të paligjshëm, ndërkohë që për t’iu përgjigjur shqetësimeve republikane, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi do të mbajë një votim të enjten për një rezolutë ku detajohen rregullat e hetimit.

Kjo do t’i jepte qartësisht pakicës republikane mundësi të barabartë për të marrë në pyetje dëshmitarët, për të kërkuar dëshmi me shkrim dhe për të kërkuar zyrtarisht paraqitjen e dëshmitarëve dhe dokumentat.

Kreu i shumicës republikane në senat tha se rezoluta do t’i mohonte “të drejtat bazë të procesit të duhur” presidentit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG