Lidhje

Hapet “Festivali i Gjelbër” në Kosovë


Hapet “Festivali i Gjelbër” në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Në Kosovë u hap të mërkurën “Festivali i Gjelbër” i cili synon të promovojë bizneset e gjelbra dhe ruajtjen e mjedisit gjatë të bërit biznes. Mbi dyzet kompani të Kosovës po marrin pjesë në këtë festival që mbahet për herë të katërt me radhë. Organizatorët thonë se interesimi për të është në rritje ndërsa nënvizojnë se kujdesi për mjedisin është më rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimet evropiane të saj. Nga Prishtina njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca.

Mbi dyzet kompani të Kosovës po marrin pjesë në festivalin e gjelbër i cili u hap sot në Prishtinë për të katërtin vit me radhë. Festivali që ka për qëllim të promovojë bizneset e gjelbra të Kosovës dhe të rrisë ndërgjegjësimin për riciklimin, energjinë e ripërtëritshme dhe energjinë efiçiente, organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Jacobbi, tha gjatë hapjes së këtij festivali se Shtetet e Bashkuara janë partner i fuqishëm i Kosovës në përpjekjet e saj për të ruajtur mjedisin.

“Ambasada jonë e re është një simbol i mrekullueshëm i partneritetit të vazhdueshëm në mes të njerëzve të Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu jam krenar të them se është një manifestim i qartë i përkushtimit tonë për një Kosovë më të gjelbër. Gjatë dizajnimit dhe ndërtimit të ndërtesës së ambasadës ne kemi bërë zgjedhje që përshtaten me mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës i tha Zërit të Amerikës se interesimi për këtë festival po rritet nga viti në vit.

“Sivjet është numri 45 do të thotë është rritur për dhjetë kompani krahasur me vitin e kaluar por për shkak edhe të hapsirës së limituar nuk kemi mundur të marrim më shumë kompani. Por tendencat janë që të rritet ky numër, ka edhe kompani të reja të cilat po investojnë në produkte të reja e që janë të Kosovës, kështu që vitin e ardhshëm e konsiderojmë ndryshimin e lokacionit” tha zoti Panxha.

Xhevdet Duka është drejtor i një kompanie që përdor mbetjet e kafshëve për të prodhuar ushqim për qen dhe mace. Ai thotë se merr pjesë për herë të dytë në këtë festival.

“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm për neve, unë shoh këtu që shumë njerëz shprehin gatishmëri edhe interes për të ardhur e për ta parë veprimtarinë tonë. Ne këtu pra mund t’i promovojmë produktet tona, konsumatori i sheh dhe kjo është shumë me rëndësi për neve”, thotë ai.

Sipas organizatorëve të festivalit të gjelbër vitin e kaluar festivalin e kanë vizituar rreth 1 mijë e 500 persona ndërsa kryesisht interesimi më i madh është për panelet solare dhe sistemet e ngrohjes.

Ndotja e mjedisit në Kosovë sipas studimeve të organizatave të ndryshme tejkalon normat e përcaktuara me standardet evropiane. Përveç mbeturinave, mjedisi është i ndotur edhe nga disa prodhues, në mesin e të cilëve si më kryesori është termocentrali Kosova A, që është prodhuesi më i vjetër i energjisë elektrike. Mbrojtësit e mjedisit thonë se kujdesi për këtë çështje është më rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimet evropiane të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG