Lidhje

Procesi i hetimit të Presidentit Trump


Anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë paraqitur një listë të dëshmitarëve që ata duan të dëshmojnë në hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve të drejtuar nga demokratët kundër Presidentit Donald Trump. Lista përfshin djalin e ish-Nënpresidentit Joe Biden dhe informatorin anonim, pretendimet e të cilit shkaktuan hetimin për shkarkimin e presidentit.

Republikani më i lartë në Komisionin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, ia dërgoi listën të shtunën kryetarit të këtij Komisioni Adam Schiff, i cili nuk ka gjasa t'i miratojë të gjithë dëshmitarët që kërkohen nga republikanët.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë filluar një fazë të re në hetimet për Presidentin Trump ndërsa javën që vjen pritet të ketë një raund dëshmish publike me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga administrata aktuale dhe ajo e kaluar. Dëshmitarët e thirrur do të ofrojnë një pamje të detajuar, për siç thuhet ftesën e pretenduar të Presidentit Trump për ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Sikurse njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, dëshmitë me shkrim, të sapo bëra publike nga seancat me dyer të mbyllura, përbëjnë atë që mund të jetë një javë e rëndësishme në presidencën e zotit Trump.

Javë të tëra dëshmish pas dyerve të mbyllura në Kongres, tani të bëra publike.

Kryetari i Komisionit të Inteligjencës Adam Schiff drejton seancat dëgjimore për të cilat demokratët shpresojnë se do t’i tregojnë popullit amerikan arsyen për hetimin e Presidentit Trump.

Në seancën e parë do të jetë një nga dëshmitarët kryesorë të Demokratëve, ambasadori William Taylor.

Adam Schiff
Adam Schiff

“Dikush që mendoj se po kryen një shërbim jetësor për vendin lidhur me faktet që tërhoqën vëmendjen e tij, fakte shumë shqetësuese që tërhoqën vëmendjen e tij”,­ u shpreh lgjvënësi Adam Schiff.

Diplomati i lartë në Ukrainë u tha ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve se ishte e qartë që ndihma amerikane për Ukrainën ishte e lidhur me bashkëpunimin e atij vendi në hetimin për rivalin politik të zotit Trump, Joe Biden dhe familjen e tij.

Javën që vjen do të dëshmojnë edhe zyrtari i Departamentit të Shtetit George Kent dhe ish ambasadorja amerkane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, të cilët u kanë treguar tashmë ligjvënësve për përpjekjet për të ndryshuar kanalet tradicionale të politikës amerikane në favor të Rudy Giulianit, avokatit përsonal të presidentit.

Republikanët janë të fokusuar në mbrojtjen e thelbit të telefonatës së zotit Trump me presidentin e Ukrainës, që është edhe epiqendra e hetimeve ndaj presidentit. Jim Jordan është ligjvënës republikan.

Jim Jordan
Jim Jordan

“E besoj telefonatën. E besoj Presidentin Zelenskiy dhe Presidentin Trump. Po ashtu besoj edhe në faktin se ukrainasit nuk e dinin që ndihma ishte bllokuar dhe nuk bënë gjë që të mundësonin çbllokimin e saj, kur ndodhi. Këto janë fakte themelore, por kemi zëra që po përdor zoti Schiff për të krijuar mjegull, që nuk kanë rëndësi kritike lidhur me atë që ndodhi.

Presidenti e quan të padrejtë procesin e hetimit nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Ata nuk duhet të zhvillojnë senca dëgjimore publike. Ky është mashtrim. Është njëlloj si gjuetia e shtrigave për Rusinë.”

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po ndjekin një proces të ngjashëm të përdorur për hetimin e Presidentëve Nikson dhe Klinton. Elaine Kamrack është me Institutin Brookings.

“Procesi i hetimit, në këtë pikë kohore, është si një proces me juri të madhe. Ajo që po bëjnë tani është se po mbledhin prova. Ata do të bëjnë ndryshime. Padyshim që republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve do të kenë rastin të kundërshtojnë akuzat.”

Akuzat e njohura si “Nenet e Hetimit” me sa duket do të marrin miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët. Por, gjykimi që pason në Senat, me shumicë republikane, ka të ngjarë të mos jetë i suksesshëm, duke mundësuar presidencën e zotit Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG