Lidhje

Fati i qindra mijëra njerëzve të sjellë ilegalisht në SHBA në moshë të mitur


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara fillon shqyrtimin e një rasti që mund të ndikojë në fatin e qindra mijëra njerëzve të sjellë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë. Në rastin e një mjeku i cili është në përfundim të stazhit në shtetin e Kalifornisë, vendimi i gjykatës mund të përcaktojë fatin e jetës së tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Warangkana Chomchuen ishte në San Francisko, ku bisedoi me mjekun Jirayuth Latthivongskorn.

Prindërit e Jirayuth Latthivongskorn nuk emigruan ligjërisht drejt Shteteve të Bashkuara kur e sollën atë në moshë fëmijënore.

Ai po bën tashmë trajnimin mjekësor në Amerikë, bazuar në mundësitë që ofron programi DACA.

DACA ofroi mbrojtje ligjore dhe leje pune për gati 700 – 800 mijë persona që u sollën ilegalisht në SHBA kur ishin fëmijë.

“DACA më ka hapur dyert së tepërmi. Po më lejon që të bëhem doktor”, thotë zoti Latthivongsakorn.

Por, plani i tij mund të jetë në rrezik. Në shtator 2017, administrata Trump propozoi anullimin e programit DACA, duke thënë se Presidenti Obama kishte tejkaluar kompetencat dhe krijoi legjislacion për emigracionin.

“Nëpërmjet DACA-s, ekzekutivi kërkoi qëllimisht të realizonte diçka që legjislativi kishte refuzuar t’ia miratonte në disa raste”, u shpreh më 5 shtator 2017, ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

Mbi dy vite më vonë, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë tre padi të konsoliduara që kërkojnë vazhdimin e programit DACA.

Zoti Latthivongsakorn është njëri prej tre paditësve.

“Kam privilegjin të trajnohem për t’u bërë doktor dhe të jetoj në Amerikë. Por, nuk e bëra vetë. Kam gëzuar mbështetjen e familjes dhe miqve, të cilët janë pa dokumenta. Mendoj se është përgjegjësia ime t’i bashkohem luftës së tyre për të ruajtur DACA-n”, thotë zoti Latthivongsakorn.

Kriza financiare aziatike e vitit 1997 rrënoi biznesin me pronat e patundshme të prindërve të tij. Ata erdhën në Kaliforni me viza turistike gjashtëmujore, gjetën punë në restorante dhe qëndruan përtej afatit të vizës. Në mars 1999, djaloshi në moshën 9-vjeçare erdhi t’i vizitojë së bashku me dy të vëllezërit më të mëdhenj.

“Më kujtohet si ne të pestë bëmë një bisedë në apartamentin tonë të vogël. Prindërit thanë se nuk do të kthehen më në Tailandë. Më kujtohet se mendoja, po shokët e mi? Po lodrat?”, thotë zoti Latthivongsakorn.

Familja u mundua të mos bjerë në sy dhe atë e thërrisnin me nofkën “New” (“i riu”). Ai studio shumë, mësoi anglishten dhe arriti të diplomohet nga dy universitete prestigjioze amerikane, Berkeley dhe Harvard.

Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Kalifornisë në San Françisko e pranoi atë në vitin 2012, një muaj përpara se administrata Obama të njoftonte programin DACA. Në maj të këtij viti, zoti Latthivongsakorn u bë i diplomuari i parë i mjekësisë në historinë 155-vjeçare të kësaj shkolle, i cili ndodhet ilegalisht në vend.

“Ajo që ishte kaq e bukur dhe kaq e fuqishme për rrugëtimin e tij, është se në çdo hap që ka ndërmarrë për të arritur objektivat e tij, ai është siguruar gjithnjë të zvogëlojë pengesat për të tjerët që ndjekin të njëjtën trajektore”, thotë dr. Leigh Kimberg, e Universitetit të Kalifornisë në San Françisko.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për programin DACA pritet të jepet verën e ardhshme. Nëse programi bie, Kongresi mund të veprojë duke miratuar reformën e emigracionit DREAM Act, e cila mund t’u ofrojë nënshtetësinë amerikane disa emigrantëve që hynë ilegalisht në SHBA. Megjithatë, këtë nuk kanë qenë në gjendje ta arrijnë as administrata Bush dhe as administrata Obama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG