Lidhje

Kaliforni, sulm me armë në shkollë, vriten dy nxënës


Në Kaliforni një nxënës i një shkolle të mesme, i veshur me të zeza, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri në mjediset e shkollës një vajzë 16-vjeçare dhe një djalë 14-vjeçar si dhe ka plagosur tre adoleshentë të tjerë përpara se të qëllonte veten në kokë. Autoritetet njoftuan se kanë arrestuar autorin e dyshuar për ngjarjen dhe se ai ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

"I dyshuari ndodhet në paraburgim dhe po trajtohet në një spital të zonës", shkruante në twitter sherifi i qarkut të Los Anxhelosit Alex Villanueva.

Një vajzë ka vdekur dhe dy djem ndodhen në gjendje kritike ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të mirë njoftuan autoritetet e spitalit.

"Deri në këto momente besojmë se ekziston vetëm një i dyshuar, por po hetojmë në mënyrë aktive dhe po e ndjekim çështjen në të gjitha drejtimet", njoftuan autoritetet.

I dyshuari u përshkrua nga policia si një mashkull aziatik, nxënës i shkollës së mesme "Saugus" në Santa Clarita, që ndodhet rreth 80 km në veri të Los Angelesit

Policia gjeti në vendngjarje dhe një armë zjarri.

Skena në shkollën e mesme "Saugus" të kujton të shtënat masive të kohëve të fundit në disa shkolla në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përfshirë masakrën në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, ku një ish-nxënës vrau 17 persona më 14 shkurt të vitit 2018.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG