Lidhje

Vazhdojnë përplasjet pas dëshmive të para publike në Kongres


Një ditë dëshmi në kuadër të hetimit për shkarkimin e Presidentit Trump nuk i ka ndryshuar qëndrimet në Uashington. Kritikët e presidentit janë të bindur se zoti Trump abuzoi me detyrën duke e shtyrë Ukrainën për të hetuar demokratët amerikanë. Nga ana tjetër aleatët e palëkundur të zotit Trump mendojnë se ai nuk ka bërë asgjë të keqe.

Presidenti shkruante Twitter se "hetimi i rremë është një precedent shumë i keq për vendin".

Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se veprimet e zotit Trump arrijnë në nivelin e një ryshfeti, pasi ai ndaloi përkohësisht 391 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën ndërsa kërkonte të nisnin hetimet për një nga kundërshtarët kryesorë të tij për vitin 2020, ish-Nënpresidentit Joe Biden.

"Ryshfet është të japësh ose të ndalosh ndihmën ushtarake në këmbim të një deklarate publike për një hetim mbi zgjedhjet, të pabazuar mbi fakte. Ky është ryshfet" tha zonja Pelosi në një konferencë shtypi.

"Ajo që presidenti ka pranuar dhe thotë se është e përsosur, unë them se është krejtësisht e gabuar dhe se eshtë ryshfet".

Presidenti Trump e quajti dëshminë e së mërkurës të dy diplomatëve të karrierës "qesharake". Udhëheqësi publikoi komentet e mbështetësve të tij, përfshirë vlerësimin e ligjvënësit Mark Meadows se seanca dëgjimore ishte "një kthim i madh pas, lidhur me fantazinë e pabazuar të hetimit për shkarkim të presidentit", siç shkruante ai.

Por ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler, kryetari i komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve tha se dëshmitë e ngarkojnë ligjërisht presidentin. Po ai tha se do të presë "për momentin" nëse duhet apo jo të ngrejë zyrtarisht akuzat për shkarkimin e zotit Trump.

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway i tha rrjetit televiziv CNN, "se Presidenti është shumë i qetë, kjo sepse dje (referuar dëshmive në Kongres) nuk u tha asgjë e re".

Komiteti i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësueve po e rikthen vëmendjen tek dëshmia e së premtes e Marie Yovanovitch-it, ish-ambasadore e SHBA-së në Kiev, e cila u hoq nga detyra në fillim të këtij viti nga administrata Trump, disa muaj përparë përfundimit të mandatit të saj.

Dëshmitë e së mërkurës

Presidenti Donald Trump u bë presidenti i tretë në historinë moderne amerikane që përballet me dëgjesa publike për shkarkimin e tij. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thirrën dy dëshmitarë kyç nga Departamenti i Shtetit për të njohur amerikanët me ato që ata i quajnë abuzim pushteti nga ana e Presidentit Trump, i cili akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të ofruar informacion që do ta ndihmonte zotin Trump politikisht në zgjedhjet presidenciale të 2020-tës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson njofton rreth dëgjesave dhe reagimit të republikanëve në Kongres.

Dy diplomatë amerikanë dëshmuan për herë të parë në publik për akuzat se Presidenti Trump ia delegoi politikën e jashtme amerikane për Ukrainën avokatit të tij personal Rudy Giuliani, për të avancuar interesat personale politike.

“Gjeta një organizim ngatërrues dhe të pazakontë të politikëbërjes për Ukrainën. Duket se funksiononin dy kanale hartimi politikash. Njëri i rregullti dhe tjetri tepër i parregullt”, dëshmoi ambasadori William Taylor.

Zoti Taylor dhe George Kent, drejtues i lartë në Departamentin e Shtetit për Ukrainën, u thanë ligjvënësve se Presidenti Trump interesohej më shumë për ndihmën e Ukrainës me hetimet ndaj rivalit politik Joe Biden dhe djalit të tij, se sa për lëvrimin e 400 milionë dollarëve asistencë të miratuar nga Kongresi për Ukrainën.

“Pyetjet e ngritura nga ky hetim janë nëse Presidenti Trump u përpoq të shfrytëzonte dobësinë e një vendi aleat dhe ta ftonte atë të ndërhynte në zgjedhjet tona? Nëse Presidenti Trump u përpoq të kushtëzonte veprimet zyrtare, si p.sh. një takim në Shtëpinë e Bardhë apo asistencën ushtarake amerikane, me gatishmërinë e Ukrainës për të asistuar me dy hetime politike që do ta ndihmonin atë të rizgjidhej? Dhe nëse Presidenti Trump bëri diçka të tillë, a është kjo në përputhje me zyrën e presidencës?”, tha Ligjvënësi Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti ua uli rëndësinë.

“Nuk ka asgjë aty. Shoh se po përdorin juristë televizionesh”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Presidenti e kishte fjalën për këshilltarin ligjor të demokratëve, i cili drejtoi disa prej pyetjeve për dëshmitarët.

“Gjatë dekadave të shërbimit tuaj ushtarak dhe diplomatik si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara nëpër botë, a keni parë ndonjë shembull tjetër të kushtëzimit të asistencës së huaj me interesat personale dhe politike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara?”, pyeti Daniel Goldman, këshilltari ligjor i demokratëve, ambasadorin Taylor i cili u përgjigj negativisht.

“Jo, zoti Goldman”, u përgjigj ai.

Edhe republikanët përdorën një jurist për t’u drejtuar pyetje dëshmitarëve. Përmbledhja e argumentave të republikanëve kundër hetimit për shkarkim të Presidentit u paraqit nga Ligjvënësi Jim Jordan.

“Presidenti Zelinskiy duhet të angazhohej për hetime të Biden-ave përpara se të lëvrohej asistenca. Asistenca u dha dhe ai nuk u angazhua për të hapur hetime”, tha Ligjvënësi republikan Jim Jordan.

“Nuk gabohem kur them vetëm ato çfarë dëgjova”, iu përgjigj ambasadori Taylor.

“Ky është thelbi. Ajo çfarë dëgjove, nuk ndodhi. Nuk ndodhi”, shtoi Ligjvënësi Jordan.

Përqindja në rritje e popullit amerikan në mbështetje të shkarkimit përmes hetimit të Presidentit Trump është pikërisht ajo çfarë aspirojnë demokratët të arrijnë me këto dëgjesa publike.

“Shkarkimi përmes hetimit është një proces politik. Kushtetuta e përcakton të këtillë. Prandaj është e rëndësishme që nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të ngrejë akuza, me apo pa fajësi të vendosur nga Senati, që publiku të jetë në mbështetje”, thotë Susan Low Bloch, e Universitetit Georgetown.

Komisioni do të mbajë dëgjesa publike me nëntë dëshmitarë të tjerë deri në fund të javës së ardhshme. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë në plenare për Nenet e Akuzës deri në fund të vitit. Kjo do të sillte një gjyq në Senat, i cili do të vendosë nëse Presidenti Trump duhet hequr nga detyra.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG