Gjykata e Lartë e SHBA pezulloi përkohësisht të hënën vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kërkon nga firma e kontabilitetit e Presidentit Donald Trump që të dorëzojë disa nga të dhënat e tij financiare në një komisionin të Dhomës së Përfaqësuesve, ku kontrollin e kanë demokratët.
Urdhri i lëshuar nga kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts nuk jep ndonjë shenjë nëse gjykata planifikon të dëgjojë ankesën e zotit Trump parashtruar të premten, ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit për Qarkun e Uashingtonit. Ai thjesht e vendos në pritje procesin gjyqësor, ndërsa nëntë gjyqtarët do të vendosin se si do të veprohet më tej.
Pezullimi mbetet në fuqi derisa gjykata të veprojë.
Çështja paraqet një përballje të rëndësishme mes fuqisë së presidencës dhe autoritetit të Kongresit.
Presidenti Trump po bën përpjekje të shumta për të mos i deklaruar financat e tij private, ndërkohë që përballet me një hetim në Dhomën e Përfaqësuesve.
Facebook Forum