Lidhje

Kushtetuesja, Meta mbledh drejtuesit e opozitës


Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta foli sot për një përpjekje kriminale shqiptaro ndërkombëtare për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Këto komente zoti Meta i bëri gjatë takimit të thirrur prej tij me drejtuesit e partive kryesore të opozitës, pikërisht për përplasjen mbi emërimet e nëtarëve të rinj të kësaj gjykate. Ai deklaroi se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndalur atë që e konsideroi si një puç kushtetues.

Gjykata Kushtetuese, Presidenti Meta mbledh partitë e opozitës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Presidenti Meta vijoi dhe sot të përdorte tone të ashpra duke e zgjeruar rrethin e atyre që konsideron përgjegjës për konfliktin e krijuar rreth emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Që në hapje të takimit, ai deklaroi se i kishte thirrur drejtuesit e opozitës për t’i informuar në detaje “lidhur me përpjekjen më të fundit dhe më të mirëstrukturuar, sipas pikëpamjes sime, kriminale shqiptaro-ndërkombëtare, për kapjen e Gjykatës kushtetuese dhe dorëzimin e saj Edi Ramës, për ta shndërruar dhe institucionin më të rëndësishëm të shtett në një Kqz palço si ajo që panë shqiptarët”.

Gjatë takimit që zgjati afër 90 minuta, presidenti Meta, sipas njoftimit të zyrës së tij të shtypit ka folur për manipulim të procesit të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, duke synuar sipas tij “kapjen e Gjykatës përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit për të bërë emërimet e tij”, gjë të cilën e cilësoi si “skandalin më flagrant të Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës”.

Kreu i Shtetit nuk respektoi afatin 30 ditor që ligji për Gjykatën ka përcaktuar për përzgjedhjen e kandidatëve. Duke mos e konsideruar këtë si një shkelje, ai ka këmbëngulur të shpjegojë se shmangu të mos zbatonte Kushtetutën, e cila sipas tij, përcakton një rradhë mes institucioneve, për emërime. Por sipas shumicës, duke mos respektuar afatin, automatikisht e emëruar u konsiderua, kandidatja Arta Vorpsi, e cila ishte e para në listën nga ku duhej të përzgjidhte presidenti. Menjëherë pasi parlamenti zgjodhi dy emrat që i takonin atij, presidenti dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari, lëvizje e cila u konsiderua antikushtetuese nga parlamenti, por që u pranua nga vetë Gjykata e cila njohu Xhaferllarin si kandidaten e saj.

Presidenti Meta ka sulmuar ashpër Këshillin e Emërimeve ne Drejtësi (KED) dhe drejtuesin e saj Ardian Dvorani, për procedurat e ndjekura me listat e kandidatëve, të cilat sipas tij synonin ta vinin Kreun e Shtetit përpara faktit të kryer. Edhe sot gjatë takimit, sipas njoftimit të shpërndarë nga presidenca, zoti Meta është shprehur se “nuk do të lejoj askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarr çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues”.

Pas takimit në Presidencë, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se ishin njohur me “prova tronditëse të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit të vendit në procesin e reformës në drejtësi dhe, konkretisht, në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këto prova dhe fakte tronditëse –theksoi ai më tej - vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i reformës në drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike dhe aleatët tanë e kanë konsideruar këtë prej fillimit një grusht kushtetues, por, përtej kësaj, edhe një provë më shumë se me këtë qeveri reforma në drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, mbetet një iluzion”.

Por çështja e Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë e vetmja. Zoti Basha tregoi se është folur dhe për krizën politike në vend dhe procesin e reformës zgjedhore. Sipas tij "nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese vendore në të njëjtën ditë si rrugëdalja e vetme nga kriza”, deklaroi zoti Basha.

Edhe zoti Meta, gjatë takimit “përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione”, bëri të ditur presidenca.

Ashtu siç dhe kishte njoftuar publikisht, kreu i Shtetit nuk është mjaftuar vetëm me akuza publike ndaj drejtuesit të KED-së, Dvorani, por sot dorëzoi në Prokurori dhe kallzim penal ndaj tij, për “Shpërdorim të Detyrës”, dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Në një reagim të tijin zoti Dvorani shprehet se “ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”. Sipas anëtarit të Gjykatës së Lartë “akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG