Lidhje

Apelimi, shkarkohet anëtari i ri i Kushtetueses, Muçi


Në Shqipëri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi sot shkakrkimin nga detyra të Besnik Muçit, i zgjedhur vetëm pak javë më parë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me dekret të Presidentit Ilir Meta. Kolegji vërejti se zoti Muçi, i cili ju nënshtrua procesit të rivlerësimit në cilësinë e një prokurori i përfshirë dhe në garën për Prokurorinë speciale antikorrupsion, nuk kishte burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar shpenzimet për katër vite, huatë e marra për blerjen e dy apartamenteve, apo dhe mos deklarimin enjë sipërfaqeje tokë të përfituar nga bashkëshortja si pjesë që I takonte nga familja e saj. Zotit Muçi ju kontestua dhe fakti se kishte patur marrëdhënie shoqërore me një person të përfshirë në një konflikt me armë nga cili kishte siguruar privilegje dhe për blerjen e një apartamenti apo dhe të një huaje të pashlyer. Një situatë që sipas Kolegjit ka sjellë “cënimin e publikut të sistemi i drejtësisë”.

Ndërsa hodhi poshtë si të padrejta vlerësimet e Kolegjit të Apelimit, zoti Muçi deklaroi edhe se sipas tij vendimi për shkarkim nga detyra nuk ishte i vlefshëm. Ai tha se që në momentin që ai ka bërë betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kishte humbur statusin si prokuror, për të cilën i ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit, e për pasojë, nuk mund të ishte më subjekt i trajtimit nga Kolegji. Për këtë arsye, ai tha se do të vazhdonte të qëndronte në detyrë, ndonëse kushtetuta dhe ligji përcaktojnë prerë se vendimiet e Kolegjit të Apelimit, hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk lënë hapësira që dikush që shkarkohet të jetë sërish në sistemin e Drejtësisë.

Presidenti Ilir Meta, i cili në momentin e dekretimit të zotit Muçi, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ishte në dijeni të pikëpyetjeve të ngritura ndaj tij gjatë procesit të rivlerësimit në Kolegjin e Apelimit, e konsideroi vendimin e sotëm një “turp”. Zëdhënësi i tij Tedi Blushi përmes një statusit në Facebook u shpreh se nuk pati “asnjë surprizë nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese rikthehetskenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njejtët aktorë që e bllokuan për tre vjet”.

Me vendimin e sotëm të KPA-së, reduktohet sërish numri i anëtarëve të Gjykatës kushtetuese, duke zbritur në 4. Ndërkohë që shanset mbeten që ajo të mund të bëhet funksionale, me 6 anëtarë, nëse do të përmbyllet me sukses procesi i rivlerësimit të kandidaturave për dy vende vakante të shpallura nga Parlamenti dhe Presidenti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG