Lidhje

Thirrje për reforma në procesin e pranimeve universitare


Skandali që shpërtheu një vit më parë dhe që nxori në pah se si prindër të pasur amerikanë ishin kapur në një skemë mashtrimesh për t’i futur fëmijët pa meritë në universitete të mira, ka vënë në qendër të vëmendjes procesin e pranimit në shkollat e larta amerikane. Megjithë hetimet dhe ndjekjet penale pas skandalit, ekziston një përshtypje e përgjithshme se fëmijët e familjeve të pasura e kanë më të lehtë të pranohen në universitete cilësore sepse mund të paguajnë kostot marramendëse. Ekspertët e arsimit thonë se duhet bërë më shumë për t’ua bërë më të lehtë të rinjve nga shtresat më të varfra të pranohen në këto institucione. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Sahar Majid ka përgatitur materialin:

DeJoiry McKenzie-Simmons ka ndjekur…

…studimet e larta për shkenca politike në Universitetin Howard në Uashington.

Ai tregon se mezi e përballonte koston e shkollës, por…kur u diplomua gjeti punë në Kapitol.

“Për fat të mirë kisha marrë bursë që më ndihmoi të mbuloja shpenzimet e vitit të dytë. Por në vit të tretë e të katërt e kisha shumë të vështirë,” kujton ai.

Studimet universitare janë të kushtueshme për shumë studentë dhe mund të pengojnë diplomimin e të rinjve nga shtresa të ulëta.

“Sistemi përfshin politika e praktika që në fakt u japin avantazh të pasurve e elitave në kurriz të atyre më të pafatë. Shumë nga këto politika e praktika vërehen në universitetet më prestigjoze duke ruajtur në vazhdimësi këtë sistem pabarazie që po përpiqemi të luftojmë,”thotë ekspertja Michelle Asha Croper.

Universitetet më në zë në Shtetet e Bashkuara pranojnë një përqindje fare të ulët nga të rinjtë që aplikojnë. Ata zakonisht pranojnë studentë me notat më të larta dhe me rezultatet më të larta në provimet e pranimit, ose me aftësi të veçanta në sporte…apo muzikë.

Praktikat favorizojnë fëmijët e prindërve që kanë ndjekur vetë atë universitet, apo që kanë dhuruar para për të mbështetur shkollën. Studentët që nuk hyjnë në këtë kategori shprehin mëri ndaj një procesi që e shohin si të padrejtë.

“Disa universitete mbështetet tek dhuratat financiare të donatorëve të pasur edhe gjatë këtij procesi,” thotë Stefanie Niles e Shoqatës Kombëtare për Konsulentë për Pranim Universitar

Rreth 100 universitete, të njohura si institucione të verbra që deklarojnë se nuk nisen në procesin e pranimeve nga gjendja financiare e studentit, u kërkojnë të rinjve të paguajnë aq sa mund të përballojnë. Por pjesa më e madhe e universiteteve prestigjoze amerikane zgjedhin kryesisht të rinj nga shtresat më të pasura.

“Nuk ka asnjë universitet në këtë vend që të jetë aq i pasur sa që të mos ketë nevojë për donacione. Edhe ne në Harvard varemi nga këto fonde,” thotë presidenti i Universitetit Harvard.


Prestigji që ofron një universitet me emër mund të mos jetë aq i rëndësishëm, thonë disa.

“Nuk mendoj se studentët apo prindërit duhet të fiksohen pas një universiteti tepër të famshëm. Diploma që mora në Universitetin Howard më ofron po aq mundësi për të konkurruar sa një diplomë nga Universiteti i Harvardit,” thotë DeJoiry McKenzie-Simmons.

Ekspertët sugjerojnë një proces më të barabartë të pranimeve universitare që të rinjtë të kenë mundësi për të arritur sukses në shoqëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG