Lidhje

Izraeli dëbon një punonjës të organizatës "Human Rights Watch"


Omar Shakir, Organizata Human Rights Watch
Omar Shakir, Organizata Human Rights Watch

Izraeli pritet të bëhet vendi i parë demokratik që dëbon një përfaqësues të organizatës për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch. Omar Shakir, drejtor për Izraelin dhe territoret palestineze i organizatës Human Rights Watch, duhet të largohet nga Izraeli sot pasi gjykata e lartë e vendit javën e kaluar kundërshtoi kërkesën e këtij grupi për të rishqyrtuar një vendim të qeverisë për dëbimin e tij. Zoti Shakir është akuzuar për promovim të lëvizjes për bojkotimin e Izraelit, të udhëhequr nga palestinezët. Zoti Shakir i ka mohuar akuzat dhe tha të dielën se do të vazhdojë punën e tij nga jashtë dhe do të dokumentojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Izrael dhe në territoret palestineze.

Human Rights Watch dhe Omar Shakir kanë bërë një betejë të gjatë ligjore kundër dëbimit të tij, duke argumentuar se ai nuk ka bërë thirrje për një bojkot të plotë të Izraelit. Grupi me qendër në Nju Jork thotë se nuk e mbështet lëvizjen ndërkombëtare të udhëhequr nga palestinezët për bojkotim të Izraelit, shkëputje të lidhjeve dhe sanksione ndaj Izraelit.

Kenneth Roth, Drejtor Ekzekutiv në organizatën Human Rights Watch
Kenneth Roth, Drejtor Ekzekutiv në organizatën Human Rights Watch

"Në fakt, gjatë gjithë kohës së që Omari ka punuar në Human Rights Watch, ai e ka mbajtur mjaft qartë qëndrimin e organizatës dhe ne nuk mbështesim bojkotin. Qeveria izraelite nuk arriti kurrë të ofronte edhe një rast të vetëm kur zoti Shakir devijoi nga qëndrimi i organizatës Human Rights Watch", thotë Kenneth Roth, Drejtor Ekzekutiv në organizatën Human Rights Watch.

Por qëndrimi i grupit është se Izraeli duhet të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe t'u japë qytetarëve të tij arabë të njëjtat të drejta që gëzojnë izraelitët. Një ligj izraelit i vitit 2017 mohon lejen e hyrjes, vizës dhe qëndrimit për çdo të huaj që bën "thirrje publike për bojkotimin e Izraelit" ose "ndonjë zone nën kontrollin e tij", një referencë për vendbanimet izraelite. Ligji u përdor në fillim të këtij viti për t’i ndaluar hyrjen ligjvënësve amerikane Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. Zoti Shakir thotë se ligji po përdoret për të heshtur aktivistët e të drejtave të njeriut.

Omar Shakir, Organizata Human Rights Watch
Omar Shakir, Organizata Human Rights Watch

"Nuk ka asgjë të veçantë mbi atë që ka ndodhur në rastin tim, realiteti është se kjo pason shumë përpjekje të tjera nga qeveria izraelite për të sulmuar grupet që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke filluar me ligje që ua mohojnë hyrjen në vend njerëzve për shprehjen e pikëpamjeve të tyre paqësore. Aktivistëve të tjerë dhe përfaqësuesve të OKB-së u është ndaluar hyrja në vend. Ne e dimë që grupe izraelite për të drejtat e njeriut janë akuzuar për shpifje kundër shtetit dhe janë keqtrajtuar për këto aktivetete, dhe e dimë që palestinezët janë përballur me akuza kriminale dhe ndalim udhëtimi thjeshtë për shkak të angazhimit të tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut".

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë grupe të të drejtave i konsiderojnë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara si të paligjshme. Por administrata e Presidentit Trump javën e kaluar njoftoi se po ndryshon politikën amerikane të ndjekur për disa dekada, që thotë se vendbanimet janë "në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG