Lidhje

Vendimi i gjykatëses: Ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë duhet të dëshmojë


Një gjykatëse federale amerikane nxorri të hënën në mbrëmje vendimin se ish-këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn duhet të zbatojë kërkesën e Dhomës së Përfaqësuesve që të dëshmojë në hetimin për procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump.

Gjykatësja Ketanji Brown Jackson e qarkut të Uashingtonit tha se presidenti "nuk ka kompetenca" të mos lejojë zotin McGahn apo zyrtarë të tjerë aktualë apo të kaluar të Shtëpisë së Bardhë që të dëshmojnë.

Administrata e Presidentit Trump ka në plan ta apelojë vendimin e gjykatëses Jackson. Një avokat i zotit McGahn tha se ai do ta respektonte kërkesën e për paraqitje të Dhomës së Përfaqësuesve, përveçse në rast se gjykata pezullon përkohësisht vendimin deri sa të jepet vendimi për apelin.

Zyrtarë të tjerë të lartë që kanë refuzuar të dëshmojnë janë Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton dhe shefi i personelit, Mick Mulvaney.

Demokratët që po shqyrtojnë mundësinë e votimit për të shkarkuar zotin Trump se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij demokrat për zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden besojnë se këta zyrtarë të lartë mund të japin prova kyçe.

Zoti McGahn ishte këshilltar ligjor i Shtëpisë së Bardhë deri kur dha dorëheqjen në tetor 2018. Emri i tij ishte përmendur shpesh në raportin e ish-prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për dyshimet mbi bashkëpunim të qëllimshëm mes fushatës së Presidentit Trump dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Sipas raportit, zoti McGahn u tha hetuesve se zoti Trump e kishte nxitur atë të shkarkonte zotin Mueller dhe më pas të mohonte që zoti Trump e kishte bërë një kërkesë të tillë.

Zoti Mueller tha se nuk mund ta shfajësonte zotin Trump nga akuzat për pengim të drejtësisë. Demokratët po shqyrtojnë nëse do ta përfshijnë përpjekjen e presidentit Trump për të shkarkuar zotin Mueller si pjesë të hetimit të tyre, pasi një përpjekje e tillë mund të konsiderohet pengim i drejtësisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG