Lidhje

Tërmeti, qeveria 59 mln euro për fazën e parë


Në Shqipëri, qeveria ka vendour të kalojë, si fazë të parë, në favor të përballimit të situatës nga tërmeti afro 59 milion euro. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se rishikimi I buxhetit për vitin e ardhshëm nuk do të prekë projektet që janë në zbatim dhe se do të garantojë që të mos preken parametrat kryesorë makroeokonomikë të vendit. Bilanci I dëmeve vijon të rritet dhe sipas të dhënave të sotme janë gati 10 mijë banesa e pallate të dëmtuar dhe mbi 1100 banesa të shkatërruara.

Qeveria e Shqipërisë, 59 milion euro për dëmet nga tërmeti
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

“Ne do të kalojmë si fazë të parë, nga buxheti i vitit 2020, 0,4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, duke garantuar, duke u siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv. Asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik dhe pasi deficiti primar pozitiv do të na mundësojë atë që është domosdoshmëri, një likuiditet të domosdoshëm për operimin në vitin 2020”, deklaroi kryeministri gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë.

Në vlerë, 0,4 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, llogaritur me parashikimin për vitin e ardhshëm është afërsisht 59 milion euro. Kryeministri disa herë i mëshoi faktit se “sfida është që njërezit e prekur të sistemohen dhe nga ana tjetër të mos prekën parametrat kryesore të buxhetit dhe të mos ndryshojë objektivi për rritjen ekonomike”, që për vitin e ardhshëm mbetet në nivele optimiste për një rritje orej 4.1 përqind.

Zoti Rama saktësoi se projektet e investimit që janë në vazhdim nuk do të ndërpriten ndërsa nuk do të ketë asnjë projekt të ri, përvec atyre që lidhen me ujitjen dhe kullimin, ndërsa ironizoi propozimin e një dite më parë të kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili kërkoi që “Qeveria të anullojë menjëherë 150 milion dollarë që sipas tij janë planifikuar për dhjetë oligarkë dhe alokimi i tyre për familjet në emergjencë”.

Kryeministri foli për një skemë të re për trajtimin e personave shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme. Ata do të qëndrojnë në struktura hoteliere deri në fund të vitit, dhe më pas do të shihet mundësia e sistemimit të tyre në banesa me qera që do të mbulohen nga shteti. Ndërsa sa i përket rindërtimit, kryeministri foli për një projekt me dy faza, atë afat-shkurtër për ndërtimin e 5000 apartamenteve dhe afat-mesëm për 10 mijë apartamente ku më pas të strehohen dhe kategori të tjera nga shtresat në nevojë.

Të dhënat e fundit nga dëmet e shkatërruara nga tërmeti flasin për një rritje jot ë vogël. Nga 7900 banesa dhe pallate të prekura, që ishin konstatuar deri dje, sot shifrat flasin për afro 10 banesa e pallate të dëmtuara dhe mbi 1100 shtëpi të rrënuara

Shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5497 (Durrës 3821, Tiranë 1311, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3520 (Tirana 3199, Dibër 73, Elbasan 248)

Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

Pallate të dëmtuara lehtë: 335 (Tiranë 328, Elbasan 7)

Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9).

Prokuroria ka nisur hetimet për dëmtimet e ndërtesave, pjesë e të cilave, sipas një njoftimit të shërndarë sot “është dhe kqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas. Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, grupi hetimor, të jetë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdon dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato”, saktësoi njoftimi.

Kryeministri tha sot se “Policia Kriminale duhet të japë së shpejti të gjitha konkluzionet për të gjitha godinat që janë dëmtuar në Durrës” duke uruar që “Prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme, për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse”.

Ai ju rikthye toneve të ashpra që ka përdorur këto ditë ndaj ndërtuesve, ndërsa tha se pas takimit dje me ta në Durrës disa i kanë shkruar se kanë falimentuar: “Të shesin shtëpitë e tyre, të shesin pasurinë e tyre, të shesin çfarë të duan, të vënë kolateral çfarë kanë, sepse besoj që në fund të ditës, liria është më e shtrenjte se pasuria dhe po qe se nuk do të reagojnë me humanizëm dhe me përgjegjshmëri, mund t’i humbin të dyja”.

Por tone të tillë nuk janë përdorur deri më tani, ndaj funksionarëve të shumtë publikë të inspektoriateve dhe zyrave vendore, kryetarëve të bashkive dhe ish komunave që kanë mbyllur sytë përpara kateve pa leje që janë shtuar në mes të ditës, apo dhe ndaj moszbatimit të parametrave në ndërtim. Ata janë po aq mëkatarë sa ndërtuesit që janë të vetmit që po tregohen me gisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG