Lidhje

OKB në kërkim të zgjidhjes për 70 milionë refugjatë 


Të martën në Gjenevë filloi një samit tre-ditor për të trajtuar krizën e refugjatëve me të cilën po përballet mbarë bota. Mijëra delegatë, ndër ta edhe ministrat e gati 100 qeverive po ndjekin Forumin Global të OKB-së për Refugjatët. Aty po diskutohet se si të ndihmohen dhjetëra miliona njerëz që janë shtrënguar të lënë shtëpitë e tyre, shumë prej tyre për shkak të konfliktit.

Kriza e refugjatëve në Evropë nuk mbizotëron më titujt e lajmeve. Por, mijëra emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë në brigjet e Evropës, në kërkim të një jete më të mirë.

Për shumë prej tyre, realiteti është i ashpër. Në cepat e BE-së po shtohen kampet e sajuara dhe plot papastërti, siç është ky kamp në Bosnjë. Ëndrrat e thyera të një jete në Perëndim, ndërkohë që Evropa po forcon kufijtë e saj.

“Njerëzit nuk janë kafshë, apo jo? Shikojeni. Njerëzit rrinë në të ftohtë, pa gjumë, pa ushqim – problem i madh”, thotë Malouddin, emigrant nga Afganistani.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se globalisht 70.8 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, një numër i paprecedent refugjatësh.

OKB-ja thotë se shumica e vendeve, në veçanti ato më të pasura, nuk bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar. Forumi Global i Refugjatëve në Gjenevë synon të korrigjojë këtë pabarazi.

“Ideja qendrore është të ndahet barra dhe përgjegjësitë e një numri të madh dhe të paprecedent njerëzish, një lëvizje globale e tyre”, thotë Gillian Triggs, Ndihmës Komisionere e Lartë e UNHCR-së.

Ka patur thirrje të ngjashme në të kaluarën. Tragjedi si mbytja e tre-vjeçarit sirian Alan Kurdi në 2015-tën shkaktuan thirrje globale për veprim, por me rezultatete të pakta.

Në Turqi ndodhen mbi 3 milionë e gjysëm refugjatë, shumica i janë larguar luftës në Siri. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ndodhet ndër delegatët në Gjenevë.

Turqia ka kritikuar vazhdimisht politikat për emigracionin të Evropës. Sipas marrëveshjes së 2016-tës, Ankaraja filloi të ndalojë emigrantët që kalonin drejt Greqisë, në këmbim të një asistence prej 6.7 miliardë dollarësh. Dhjetëra mijëra emigrantë vazhdojnë të jenë të bllokuar në kampet e ishujve grekë.

Kriza e refugjatëve shtrihen përtej Evropës. Tre çerek milioni refugjatë rohingya jetojnë në kampe në Bangladesh, pasi i shpëtuan një ofensive ushtarake në Mianmar.

Afrika nënsahariane përmbledh gati një të katërtën e popullsisë refugjate të botës. Konfliktet në Republikën Qendrore Afrikane, në Nigeri, Sudanin Jugor, Burundin dhe Jemenin kanë kontribuar për krizën, me 18 milionë njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Në Venezuelë, kriza politike është shndërruar në një katastrofë humanitare. 4 milionë njerëz i janë larguar vendit.

UNHCR-ja, agjensia e OKB-së për refugjatët, thotë se në buxhet i mungojnë rreth 3.5 miliardë dollarë, gati 43% e buxhetit të saj. UNHCR-ja shpreson se samiti në Gjenevë do të ndihmojë për të plotësuar këtë boshllëk.

“Kemi tregues shumë optimistë se do të kemi angazhime domethënëse financiare, si nga qeveritë ashtu edhe nga sistemet bankare të huadhënies. Por, do të kemi edhe angazhimin e shoqërisë civile dhe të komunitetit të biznesit”, thotë zonja Triggs.

Kjo dëgjohet disi optimiste nëse kemi parasysh përmasat e krizës, si dhe shkaqet e panumërta që po largojnë kaq shumë njerëz nga shtëpitë e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG