Lidhje

Tiranë: Gjykata dënon ish-kryeministrin Berisha. Reagon zyra e tij


Gjykata e Tiranës vendosi sot të dënojë për përhapje lajmesh të rreme ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të dëmshpërblejë kryeministrin Edi Rama me shumën 500 mijë lekë si person i dëmtuar nga një shkrim në rrjetet sociale.

Zëdhënësja e gjykatës, Alba Nikolla, konfirmoi vendimin që mori sot gjyqtarja Mariana Shegani (Dedi), i cili përfshin edhe “detyrimin e palës së paditur të publikojë përgënjeshtrimin në faqen e tij në "Facebook" në lidhje me deklaratën e tij në atë rrjet social më 15 tetorin e 2018 me titull "Fundi i kakistokracisë së kallam dështakut po troket", brenda 10 ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit”.

Ky shkrim, i cili tashmë është hequr nga faqja e zotit Berisha në Facebook, fliste për takimet e kryeministrit Edi Rama në Berlin, i cili sipas paditësit përmban disa të pavërteta.

Gjyqtarja vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë dhe detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë me afro 5 mijë dollarë amerikanë palën paditëse, e cila ishte shprehur për dyfishin e kësaj shume.

Zyra e ish-kryeministrit reagoi të premten në mbrëmje pas interesimit nga "Zëri i Amerikës", me një deklaratë, ku theksoi se kjo është vazhda e fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri.

"Zoti Rama keqpërdori gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranoi pjesërish padinë e tij për cënim nderi dhe dinjiteti. Objekt i shqyrtimit ishte një postim në FB, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura" - thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Sipas deklarimit nga zyra e zotit Berisha, në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit.

"U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik. Pra padia është në mënyrë të qartë politikisht e motivuar. Pranimi i padisë për shkaktim dëmi moral në këtë rast, përbën një rast të paprecedent pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes, si dhe bie në kundërshtim të hapur me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut" - thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Ky vendim i gjykatës pritet të publikohet zyrtarisht të hënën, ku të dhënat e protagonistëve janë anonimizuar.

Këtë vendim zoti Berisha mund ta ankimojë në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG